Politika monetare merr kthesë të re? – BSH po shqyrton zyrtarisht masa jokonvencionale

Banka e Shqipërisë po shqyrton zyrtarisht mundësinë e përdorimit të  instrumenteve të reja të politikës monetare, apo të ashtuquajturat masa jokonvencionale.

Në strategjinë afatmesme të zhvillimit 2020-2022, Banka qendrore parashikon të vlerësojë efektivitetin e gamës së instrumenteve në dispozicion, përfshirë edhe të atyre që klasifikohen jokonvencionale, me synim përdorimin e tyre për arritjen e objektivit të inflacionit, në rast nevoje.

Sipas strategjisë, ambienti ku vepron banka qendrore ka pësuar ndryshime, të cilat kërkojnë rritje të fleksibilitetit të operacioneve të saj për t’i adresuar këto ndryshime.

Ndaj, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e fleksibilitetit në përdorimin e instrumenteve mundëson adresimin e sfidave të reja me përqasjet e duhura, duke ndihmuar në funksion të përmbushjes së objektivave të politikës monetare.

Shqipëria, ashtu si shumica e ekonomive europiane, po kalon një cikël të gjatë inflacioni të ulët, që ka vendosur në sprovë Bankat Qendrore, të cilat kanë si objektiv kryesor pikërisht sigurimin e një rritjeje të shëndetshme të çmimeve.

Pasi instrumentet e zakonshme të përdorura nga këto banka nuk dhanë rezultatet e shpresuara, disa prej bankave qendrore adoptuan instrumente të reja ose jokonvencionale.

Forma më e njohur është i ashtuquajturi lehtësim sasior, përmes të cilit bankat qendrore blejnë obligacione ose instrumente të tjerë financiarë në treg të hapur, me qëllim injektimin e një sasie më të madhe paraje në ekonomi.

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka shkuar aq larg. Norma bazë e interesit është në nivelin 1%, çka do të thotë se politika monetare ka ende hapësira veprimi me instrumente klasike. Megjithatë, është e qartë se sa më shumë norma bazë i afrohet zeros, aq më modeste janë ndikimet e uljes së saj të mëtejshme.

Ndaj, Banka e Shqipërisë nuk përjashton përdorimin e instrumenteve të reja, që mund të rezultojnë më efikase, nëse inflacioni do të vazhdojë qëndrojë poshtë objektivit.

Vitin e kaluar inflacioni vjetor zbriti në nivelin 1.4%. Banka e Shqipërisë e shpjegoi rënien kryesisht me faktorë të ofertës, por në mbledhjet e fundit Këshilli Mbikëqyrës ka pranuar se ekonomia shqiptare është ende larg angazhimit të të plotë të kapaciteteve të saj prodhuese dhe se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit mbetet ende e pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv. /Scan

SHKARKO APP