Popullsia e Shqipërisë dhe Kosovës, krahasim i karakteristikave demografike dhe sociale
Shqipëria dhe Kosova ndajnë shumë karakteristika të ngjashme për shkak të lidhjeve të forta historike dhe etnike, por gjithashtu përballen me sfida dhe mundësi të ndryshme që lidhen me strukturën e popullsisë, zhvillimin ekonomik dhe social.
“Scan Intel” më herët ka bërë një krahasim se ku jetohet më mirë nisur nga treguesit kryesorë ekonomike në të dy vendet, ndërkohë që të dhënat e Censit mund të na japin një pasqyrë më të qartë të karakteristikave demografike.
Shqipëria ka një strukturë të popullsisë që po plaket, me një përqindje të lartë të personave mbi 65 vjeç, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e pensioneve dhe sistemet shëndetësore. Po ashtu, emigrimi i rinisë nga Shqipëria ka qenë një faktor që ka kontribuar në këtë plakje. Kosova ka një popullsi më të re, me një përqindje të madhe të popullsisë nën 30 vjeç.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar ditën e djeshme të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Sipas përllogaritjeve popullsia rezidente në Kosovë është 1.6 milionë banorë, më një rënie prej më shumë se 8%.
Krahasuar me Shqipërinë, popullsia në moshë të re në Kosovë ka një peshë më të lartë. Sipas rezultateve, pesha e popullsisë 15-29 vjeç ndaj totalit të popullsisë në Shqipëri vlerësohet në 17.9%, ndërkohë në Kosovë pesha është 23.3%.
Ndërkohë e njejta situatë paraqitet për popullsinë në moshë pensioni. Pësha e grupmoshës mbi 65 vjeç ndaj totalit në Kosovë vlerësohet në 10.9%, ndërkohë në Shqipëri ky tregues vlerësohet në 19.6%. Kjo është një pasqyrë e qartë e një popullsie më të re në Kosovë, që mund të reflektohet edhe në tregues të tjerë të ekonomisë më vonë.
Kosova ka një numër më të lartë të personave për ekonomi familjare, me 4.33 anëtarë, ndërkohë ky tregues në Shqipëri është në 3.2 persona. Në këto kushte mund të themi se Kosova ka familjen më të madhe në Europë, bazuar edhe nga shifrat më të fundit të Eurostat.
Scan TV