Popullsia shqiptare më e plakur, ulen lindjet

Emigracioni i vazhdueshëm dhe rënia e numrit të lindjeve janë dy arsyet që popullsia në Shqipëri vazhdon të ketë rritje negative.

INSTAT bëri të njohur sot studimin “Gratë dhe burrat në Shqipëri 2015″, sipas të cilit, bazuar në një llogaritje gjatë periudhës 2001-2011, kur janë kryer dy censuset e fundit, emigracioni u vlerësua përafërsisht 480.000 emigrantë, ku shumica janë burra.

Numri i lindjeve pësoi rënie nga afërsisht 39 mijë lindje në vitin 2005, në rreth 35 mijë në fund të vitit 2014, me një rënie prej 8%.

Ndërsa vërehet qëndrueshmëri për vdekshmërinë, ku ndaj totalit burrat vdesin më shumë se gratë, ose 54% më shumë. Në dy vitet 2013-2014 jetëgjatësia llogaritet 76,4 vite për burrat dhe 80,3 vite dhe për gratë.

Për vendbanimet rezultojnë se gratë janë më prezente se burrat në zonat urbane dhe në vitin 2014, gratë përfaqësonin 51,3% të popullsisë në zonën urbane dhe 48,7% burra.

Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 31,5 vjeç në vitin 2005, në 37 vjeç në vitin 2014, ku gratë kanë moshë mesatare më të lartë se burrat përgjatë viteve 2005-2014. Ndërsa në vitin 2014 llogaritet 37 vjeç për gratë dhe 36 vjeç për burrat.

Pas vitit 2011 vihet re një tendencë në rënie e numrit total të martesave, ndërsa mbisundon martesa në moshë mesatare më të madhe.

Informacioni i bazuar mbi statistikat vitale për moshën mesatare në martesë tregon rritje të lehtë nga 27,7 në vitin 2007, në 29,5 vjeç në vitin 2014 për burrat dhe nga 22,4 në 24,0 vjeç për gratë. Gjatë periudhës 2007-2014 vihet re tendenca në rritje për moshën mesatare në martesë të grave, ndërsa për burrat ka paqëndrueshmëri.

Numri gjithsej i divorceve në Shqipëri ka pësuar rritje nga 3,9 mijë në vitin 2001, në 4,2 mijë në vitin 2014.

Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë për vitin 2014 ishte rritur dyfish ndaj vitit 2009, ku peshën kryesore sipas fushave të studimeve e zënë shkencat shoqërore, biznesi dhe juridiku, me 40,8% të të diplomuarve.

Femrat kryesojnë shkollimin në fushat e mësuesisë, shëndetësi, sociale, artet nga 76-82% të totalit. Në të kundërt, fusha më e dominuar nga meshkujt me arsim të lartë janë shërbimet dhe bujqësia, inxhinieritë e përpunimit dhe ndërtimit, nga 61-74%.

SHKARKO APP