Porti i Durrësit, Halimi: Pronat publike jo në drejtim të paditur. Në Austri një ish-ministër u dënua me 8 vite burg
Debati politik është përqëndruar tek projekti i Portit të Durrësit. Kontrata e portit të ri të Durrësit lë dritare të hapur që paratë të shkojnë dhe të vijnë në parajsa fiskale, pa ditur zotëruesin e tyre të vërtetë. “Kompanitë mëmë janë regjistruar në regjistrin tregtar të ishujve Cayman, që janë parajse fiskale e deklaruar në Bashkimin Europian”, shpjegon juristi Eduard Halimi, ish-deputet i PD-së.
Në analizën e juristit, kontrata ka shumë pikëpyetje që lënë vend për dyshime për sa kohë prona publike i lihet në dorë një rrjeti kompanish të regjistruar në parajsa fiskale.
“Parajsa fiskale jo domosdoshmërisht bëjnë krim korrupsion, pastrim parash. Ky stigmatizim nuk është gjithmonë i vërtetë. Çështja ndërlikohet kur bëhet fjalë për kontrata publike dhe që pasuritë publike të çohen në parajsa fiskale. Qeveria është luftuesi kryesor i evazionit fiskal, ku për mos lëshimin e një kuponi tatimor, një shitës mund të shkojë në burg, ndërsa për një investim kaq madhor, Ministria e Financave nuk vendos asnjë klauzolë për të luftuar mospagimin e taksave”.
Po ashtu juristi sjell si shembull analog rastin e dënimit me 8 vite burg të ish-ministrit austriak të financave, pasi fshehu të ardhurat e tij në parajsa fiskale.
“Gjyqtarja Hoenecker dënoi ish-ministrin austriak të Financave duke thënë: Përse kur bën biznes të sinqerte duhet ta regjistrosh në parajsa fiskale? Pikërisht këtë pyetje duhet ta bëjnë dhe ato që do miratojnë kontratën dhe do përballen me këtë pyetje nga drejtësia”,-tha për ”TCH”.