‘Portreti i artistit në rini”, autobiografia e James Joyce

Nga Rea GODO/

Pas një jave të gjatë shoqëruar me ankthin e provimeve, lodhjen e pagjumësinë, sic mund ta imgjinoni edhe këtë rradhë oazi im i paqtë ishte libri. Në këtë takim të përjavshëm, ku shkruhemi e lexohemi së bashku dua të ndaj me ju përshtypjet për librin e një nga shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të shkuar, James Joyce.

James Joyce ishte një autor irlandez i njohur për letërsinë e tij të veçantë, stilin aspak sipërfaqësor, meditativ dhe depërtues në brendësi të personazhit. Libri i tij ‘’Portreti i artistit në rini’’ u botua  më vitin 1916 dhe konsiderohet një formë autobiografie e autorit, pasi ngjashmëria e jetës së tij me atë të personazhit kryesor nuk është krejt e rastësishme.

Libri vërtitet përreth jetës së Stiven Dedalusi duke përshkruan në një rend të mirëfilltë kronologjik  çdo etap të saj. Veçantia e Joyce-it nuk qëndron vetëm tek historia, por te mënyra e drejtpërdrejt e njëkohësisht disi e ndërlikuar, të cilën zgjedh të përdori për ta përcjellë atë. Pjesa më e madhe e romanit të tij lidhet më përshkrime të gjendjes shpirtërore dhe psikologjike të personazhit e në minorancë të librit qëndron rrëfimi i zakontë me të cilin jemi mësuar. Megjithatë, kjo mënyrë e të shkruarit nuk e bën librin aspak të lodhshëm apo të vështirë për ta lexuar.

Për të prezantuar me pak fjalë historinë, që qëndron në zemër të librit është narracioni i jetës së Stiven, një djaloshi të brishtë, shëndetlig e të ndrojtur, të lindur në një familje me principe të theksuara katolike. Vështirësitë, problematikat dhe paqëndrueshmëria politike bënin që familja e tij të zhvendosej herë pas here sa në një vend në tjetrin duke krijuar një ngërç në përshtatjen e fëmijëvë të familjes më ambjentet e reja , e veçanërisht me Stiven, aftësitë e të cilit për t’u shoqëruar ishin të çalta. Pavarësisht furtunave financiare, babai i tij kujdesej që ai të ndiqte një shkollë mirë, e cila në thelb kishte edukimin jezuid.

Me rritjen e tij, gjërat nisën të ndryshonin, por ndjeshmëria  e tij mbeti e njëjta. Zhvendosja e rradhës në Dublin e njohu me Emme Clere, për të cilën shfaqi simpati e emocion. Talentet e tij në teatër e letërsi e kthen në një lider në shoqërinë e tij. Ndryshe nga vegjëlia e tij, ku kishin munguar shokët, tani ai ishte i rrethuar më njërëz, të cilët parapëlqenin të kalonin kohë me të, por ai ndihej thëllësisht i vetmuar. Pavarësisht sukseseve të tij të lidhura me talentet artistike, Stiven nisi të kultivonte një obsession të theksuar për erotizmin, i cili e bënte të dilte nga vetja. Pas disa kohësh, kuptoi se jeta që po jetonte binte ndeshë me edukimin e tij fetar dhe u përpoq të heqi dorë. Transformimi i tij bëri që të kthehej në një katolik fanatik, por hoqi dorë shpejt edhe nga kjo jetë, kur kuptoi se ajo që donte të bente qëndronte larg doktrinës së normave, por pranë së bukurës.

Kështu, ndërmori udhëtimin e tij të fundit arratisës duke fluturuar larg mentalitetit shtypës, besimit fanatik efamiljes së tij në kërkim të vetvetes dhe zbulimit të tij artistik, në botën e letrave.

Në përfundim mund të them se arsyet për të lexuar James Joyce janë të shumta. Së pari, ai është një nga shkrimtarët me narracionin më të veçantë në letërsi. Së dyti, analiza e personazhit prej tij deri në thellësitë e shpirtit e mendjes zbulon elementët më të veçantë të natyrës njerëzore. Së treti, ky është jo vetëm një libër i këndshëm, por njëkohësisht i domosdoshëm për një lexues të sofistikuar e të apasionuar.

Ju ftoj në leximin e ‘’Portreti i artistit në rini’’ shkruar nga James Joyce!

SHKARKO APP