Posta Shqiptare apel qytetarëve: Të gjithë bashkë mund të ndihmojmë në frenimin e Covid-19
Nisur nga situata e krijuar nga përhapja e Covid-19 në vend, Posta Shqiptare përsërit thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare (kryesisht atyre që marrin ndihmën ekonomike dhe pagesën e invaliditetit, si dhe pensionet) në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave duke evituar grumbullimet e panevojshme, të ruajnë distancimin fizik dhe të mbajnë maskat brenda dhe jashtë zyrave postare.
Ndonëse nga ana e punonjësve të zyrave të Postës Shqiptare bëhen të gjitha përpjekjet për ruajtjen e distancave dhe sigurisë gjatë ofrimit të shërbimit, është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve. Posta Shqiptare i’u bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe personave që kujdesen për ta, të aplikojnë sa më parë për shërbimin e marrjes së pensionit në banesë, si alternativa e duhur për mbrojtjen e tyre në këtë situatë të pazakontë pandemie.
Posta Shqiptare i’u kërkon gjithashtu të gjitha bashkive të vendit të bashkëpunojnë duke proceduar me kalimin e fondeve përkatëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të invaliditetit përpara fundit të muajit, në mënyrë që institucioni ynë të jetë në gjendje të operojë sa më parë me shpërndarjen e këtyre pagesave sipas një grafiku që mëton të evitojë radhët dhe grumbullimet e padobishme.
Po ashtu, Posta Shqiptare i drejtohet edhe institucioneve ligjzbatuese për të asistuar në ruajtjen e protokolleve të kujdesit dhe distancimit fizik të qytetarëve jashtë ambienteve të zyrave postare, ku punonjësit e Postës nuk kanë kopetencë për të vepruar.