”Prangat i vendosi vetë”, Mjacaj kërkoi të takojë veç një person. Drejtori tregon lëvizjet ditën e ngjarjes
Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit, nga Sokol Mjacaj është bërë me një plan të mirëmenduar dhe detajet dolën në seancën gjyqësore këtë të martë. Drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha ka dëshmuar në prokurori ku tregon sesi ka negociuar me Mjacajn pas ngjarjes.
Hoxha tregon se me të marrë njoftimin për ngjarjen ka shkuar në ambientet ku ndodhej Mjacaj dhe ky i fundit ka kërkuar të flasë vetëm me prokurorin para se të dorëzojë armën e krimit. Hoxha tregoi se i kanë dhënë prangat dhe ai i ka vendosur vetë.
Drejtori u shpreh se punonjësit e ajrosjes, i kanë komunikuar se Sokol Mjacaj kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe dhe ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij. Hoxha theksoi se dhoma ku gjendeshin Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, ndodhej majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit. Nga dritarja, pasi i foli në emër të dyve, Mjacaj i ka qëlluar me armë.
Në dëshminë e tij, drejtori u shpreh se nga data 1 gusht e deri më sot, Mjacajt i ka sjellë ushqime i vëllai, Paulin Mjacaj dhe Ilda Rapo e cila në disa raste është prezantuar si kushërirë e tij, e më pas si mikeshë. Sokol Mjacaj ka kërcënuar me armë punonjësin e vëzhgimit Indrit Dubali që t’i hapte portën për të dalë në pjesën e ajrimit. Kështu ka dëshmuar Qani Muça, i cili ushtronte detyrën e shefit të policisë së Burgjeve.