Pranimet në Universitete/ Drejtori i RASH: Si po llogariten pikët e maturantëve, të dielën fituesit
Universitetet publike e private në Shqipëri kanë nisur shkarkimin e të dhënave për të gjithë ata maturantë që aplikuan nëpërmjet formularit A2. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj thotë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se Universitetet kanë kohë të nxjerrin renditjen sipas kërkesave të çdo maturanti deri ditën e premte.
”Ka filluar procesi i shkarkimit të të dhënave nga dita e djeshme. Universitetet publike dhe private po shkarkojnë të dhënat nga portali U-albania për të gjithë ata maturantë që kanë aplikuar në preferenca të ndryshme në këto universitete. Universitet do të kenë kohë deri ditën e premte të kalkulojnë pikët e çdo maturanti dhe do nxjerrim një renditje sipas kërkesave të çdo maturanti. Të dhënat do të ngarkohen këtë fundjave në portal dhe ditën e diel më datë 1 shtator, do të jenë publike në portalin U-Albania për çdo maturant. Nga data 2 shtator fillon procesi i regjistrimit, të hënën e ardhshme dhe do të jëtë po ai proces si i viteve të kaluara me faza 48 orëshe.Ky proces do të vazhdojë me shtatë faza ku në përfundim të 14 ditëve përfundon procesi i regjistrimit në raundin e parë”, sqaroi ai.
Sipas Xhelajt, në përfundim të 14 ditëve, merr fund edhe procesi i regjistrimit për raundin e parë. ”Ditën që fillon faza e regjistrimit, maturantëve u vihet në dispozicion një ditë kohë, më pas në 15 shtator për të bërë çrregjistrimin. Në datat 19 dhe 21 shtator rihapet formulari A3 dhe maturantët që nuk kanë arritur të regjistrohen në asnjë degë në raundin e parë, kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A3 në këto 3 ditë në dispozion”, tha drejtori i RASH.
Pas përfundimit të procesit të formularit A3, më 30 shtator fillon raundi i dytë i regjistrimeve. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, thotë se për maturantët që ngelin pa u regjistruar si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, u është lënë një hapësirë në fund të shtatorit e fillim tetori. Pasi përfundon procesi i formularit A3 rifillon përsëri e njëjta procedurë, të dhënat u dërgohen universiteteve dhe në 30 shtator fillon raundi i dytë i regjistrimeve që është që tashmë është jo me 7 por me 5 faza duke qenë se numri i studentëve është i reduktuar. ”Ata që ngelin pa regjistrim, që nuk regjistrohen as në raund të parë as të dytë, u kemi lënë një hapësirë me formularin A4, diku nga fundi i shtatorit, fillimi i tetorit”.
KOHA JONË SONDAZH

