Preç Zogaj: Drejt shumicës rozë? Një thikë me dy presa
(Botuar me 21 Maj 1995 në KOHA JONE)
Nga Preç Zogaj-
Sondazhet e PS i dhanë njëfarë impulsi kësaj kohe të cekët e pothuajse të vdekur në rrafshin politik. Është e kuptueshme: një nga qëllimet e politikës pluraliste konkurruese është nxjerrja e një qeverie tjetër, e një qeverie më të mirë, më të besueshme. Kjo së paku është nyja kryesore që lidh njerëzit e thjeshtë me politikën. Prandaj edhe botimi i sondazheve, përbën jo më një ngjarje kalimtare nga ato që gëlojnë me shumicë në jetën tonë, por një dukuri që rrok gjithë shoqërinë. Sondazhet e PS pavarësisht njëanshmërisë objektive që kanë, u përjetuan e po përjetohen si një dukuri e tillë. Kjo u pa te reagimet e hapura. Nuk ka dyshim se në qendrat dhe kulisat e politikës, brenda dhe jashtë vendit, ka filluar dhe do të rritet intensiteti i reagimeve të heshtura, por aktive përkundrejt tablosë së zhbalancuar politike që paraqesin shifrat e PS. A i përgjigjen këto shifra ndjeshmërisë politike të shqiptarëve sot? Ky është diskutim tjetër, por fakti është se PS i ka vënë të interesuarit, kundërshtarë ose jo, përpara shpalljes së shifrave. Prej këtu, një vlerësim i drejtë e gjakftohtë duket ai i zotit Arben Imami, i cili është shprehur kështu dje në gazetën “Intervista”: “Sondazhet partiake, të kujtdo qofshin, edhe pse dashur pa dashur marrin karakter sugjestionues, edhe pse ato mund të mos kenë të dhëna të sakta, kanë informacione që duhen vlerësuar. Kush nuk i merr për bazë, bën gabim”. Këtë gabim mund ta bëjnë orë e çast ata që ecin kuturu, por jo politikanët e politologët seriozë, të cilëve me këtë rast u është hedhur jo vetëm sfida por edhe një sinjal i qartë për panoramën e nesërme politike. Ky sinjal është mobilizues në një rrafsh të gjerë për të forcuar partitë e tjera të opozitës në rrugën e barazisë të kushteve konkurruese veçanërisht PAD-në dhe PSD-në. Një dorë më e fortë mund t’i jepet me këtë rast edhe Berishës për të fituar ky diçka nga terreni i humbur. Partitë zakonisht nuk i botojnë sondazhet e tyre. I përdorin për vete. Shumë-shumë, ua bëjnë me dije partive të tjera në kuadrin e sallonit politik, që mungon në Shqipëri. Këtu mungon edhe institucionalizimi i sondazheve politike, që duhet bërë sa më shpejt për të evituar zhurmat e keqkuptimet e sondazheve partiake. Gjithsesi PS i botoi shifrat e veta për të treguar forcë. Por ky gjest është si një thikë me dy presa për këtë parti. Zhvillimet e ardhshme do të na tregojnë se nga po “pret” thika. Gjithsesi, për politikën në tërësi, këto sondazhe i ndikojnë për mirë qoftë shpërgjumjes, qoftë delireve të partive të tjera. Kush të dojë, le t’i ulë nervat e t’i falënderohet këtij peshqeshi.
Votuesit nuk janë ende të lirë
Numri që ka rrahur e rreh si çekan në kokën e politikës josocialiste është 60-ta. Sipas sondazhit të PS, 60 për qind e shqiptarëve votojnë për të. Sipas sondazhit, po ecet drejt një shumice tjetër absolute, kësaj radhe ngjyrë rozë. Nuk mund të paragjykohen votuesit e lirë, demokratët nuk i hakmerren votuesit të lirë, por mund të shtrohen dy pyetje për raportet e politikës me votuesit. E para, a janë vërtetë të lirë votuesit shqiptarë? Unë përgjigjem: Jo. Sepse liria për votim të fshehtë, pavarësisht rëndësisë që ka, nuk është kushedi se çfarë pa lirinë për të zgjedhur. Zgjedhja nuk bëhet pa njohje. Votuesit shqiptarë, sidomos ata në qendrat rurale janë pothuajse të privuar nga e drejta e informimit të barabartë për alternativat politike të vendit. Nëpërmjet RTV, nëpërmjet atij që quhet publicitet politik, njerëzit në masë të madhe shohin dy parti: PD-në në një anë dhe PS-në në anën tjetër. PD është pushtet dhe sado ta perfeksionojë marketingun e vet politik nëpërmjet TV, vështirë, shumë vështirë se nxjerr gjë në dritë. U provua edhe gjatë Referendumit. Kurse PS, megjithëse jo shumë e pranishme në TV, vetvetiu shfaqet si përfaqësuese e të gjitha opozitave shqiptare dhe mbledh rreth vetes jo vetëm militantizmin e siguruar të elektoratit opozitar socialist, por edhe shpresën për rrugëdalje të reja të qytetarëve të zhgënjyer, të pakënaqur apo të neveritur nga kultura brutale e pushtetit. Këto kategori të fundit nuk klasifikohen as si pozitë, as si opozitë. Ky është elektorati i lëvizshëm që gjykon mbi rezultate, mbi programet e njerëzit që ofron çdo parti. Por nga do të shkojë ndjeshmëria e tyre antiPD përveç te “partia tjetër”, domethënë te PS, sa kohë që censurohen e dekriminalizohen opozitat e tjera, PAD-ja, PDD-ja dhe deri diku PSD-ja. Po. Televizioni dhe në përgjithësi atmosfera politike që ka krijuar pushteti i sotëm po i kontribuojnë me naivitet, me keqdashje apo nga injoranca, krijimit të një shumice rozë në Parlament, gjë që në pikëpamje të rinovimit të skenave politike shqiptare nuk sjell asgjë të re. Ja ku dolëm tek pyetja e dytë që rrjedh prej trajtimit që i bëmë së parës: a duam ne këtu në Shqipëri një Parlament të ekuilibruar, a duam një skemë të re politike që dikton dialog e marrëveshje, apo gjykojmë “të dalë ku të dalë, lufta vazhdon”? I përkas një grupimi politik e intelektual që ngulmon për ekuilibër, së paku për 30 vjet ku shpresohet se mekanizmat e demokracisë do të jenë konsoliduar në atë shkallë sa të pjellin natyrshëm sistemin dypartiak. Kemi pohuar me gjithë zërin se çelësi bazë i defekteve të demokracisë së sotme ka të bëjë me një shumicë absolute të PD në Parlament. Janë shumë ata analistë e politologë që do të ngulmojnë në këtë linjë nëpërmjet shtypit të kufizuar dhe takimeve gjithashtu të kushtueshme. Por nuk do të kenë jehonën e pritshme dhe frytet e dëshiruara këto zëra, në qoftë se nuk ndryshon diçka e qenësishme në vizionin politik që ka vetë pushteti. Ky vizion, në qoftë se është e mundur, duhet t’i jepet me krahë hapur moderacionit. Sot pushteti vazhdon të përshkojë me një fanatizëm absurd rrugën më të gabuar për sa i përket nevojës për ekuilibër politik në zgjedhjet e ardhshme. Pushteti u bie papushim borive të rrezikut komunist apo rrezikut të rikthimit të ish komunistëve në pushtet, a thua se bëhet fjalë për një rrezik që vjen nga kufijtë apo nga ndonjë planet tjetër. Kjo retorikë që hallakatet e shuhet në mjedisin e tejngopur me halle, shoqërohet edhe me presione e dhunë fizike ndaj opozitës, qoftë e majtë, e qendrës apo e djathtë. Nuk mendohet thjesht, nuk mendohet qoftë edhe një çast se nëse vjen PS në pushtet me 60 për qind të votave a ku di unë, ajo do të vijë pikërisht me votat e qytetarëve që sollën në pushtet PD. Ne nuk jemi një popull tjetër këtu, dhe unë, po të isha i prirë për shou, nuk e kam hiç të vështirë ta formuloj dhe ta argumentoj akuzën për PD: Ju e çuat elektoratin majtas me politikën që keni ndjekur e po ndiqni. PD me Berishën në krye bën përpjekjet e veta për ta ndaluar këtë vërshim. Disa nopranë të mbërthyer nga mllefet artificiale, në mos nga frika për përfitimet e paligjshme, i këshillojnë Berishës të shtojë goditjet majtas. Vetëm kështu riformatohet PD! Çfarë logjike! Po të kishte rrjedhur elektorati i PD djathtas, kjo këshillë do të kishte një farë kuptimi, megjithëse mua fjala “goditje” më sjell zorrët në grykë. Por të gjitha të dhënat, edhe ato të eurobarometrit, tregojnë se elektorati ka shkuar majtas, pra goditjet majtas e kanë forcuar dhe e forcojnë të majtën. Në përgjithësi, populli ynë është tolerant, nuk e duron arrogancën. Kjo është e vërteta. Zgjidhja më e mirë cila mund të ishte? Berisha të shohë sondazhet e veta dhe të moderohet, duke zgjidhur edhe nyjet që ka lidhur rrugës. Berisha, PD, Pjetër Arbnori, Kuvendi Popullor të krijojë kushtet për një konkurrencë të barabartë të partive në mediat publike dhe në terrenin politik. Ndryshe po shkojmë drejt shumicës socialistë. Nesër, askush nuk do të ketë të drejtë të qortojë popullin për këtë.
Votat e protestës
Nuk do të qortohet, por duhen sqaruar qysh tani disa të vërteta që të mos futemi mundësisht, në rrethin vicioz të zhgënjimeve. Kur të martën e kësaj jave unë reagova, mendoj jo pa mirësjellje, se shifra 60 për qind do të ishte alarmante (Koha Jonë, Gazeta Shqiptare), isha në pajtim me idenë se monizmi në pushtet, qoftë blu, qoftë i verdhë apo rozë, është një zgjidhje e keqe për Shqipërinë. Reagimet e ndonjë drejtuesi të PS për këtë deklaratë e për deklarata të tjera ishin për tu qarë hallin. Këtu nuk është aspak fjala se “opozitat e vogla” nuk njohin realitetin, rrinë në Tiranë, janë xhelozë etj. Volumet dhe cilësia e gjykimit nuk janë nënë e bijë. Problemi është se PS, si parti opozitare më e dukshme dhe më e vjetër, po i shton numrat e saj me votat e protestës. Votat e protestës janë ngushëllim i përkohshëm, por kjo dardhë e ka bishtin prapa. Votat e protestës nuk e respektojnë paktin, apo siç thuhet tani, kontratën me partinë. Këto vota vërshojnë në bllok sa andej këndej, kurse unë mendoj se oferta politike duhet të jetë e ndershme për të gjithë dhe jo një ofertë, por shumë oferta, aq sa janë realisht në Shqipëri. Kështu njerëzit zgjedhin, nuk protestojnë. Dhe zgjedhin mirë, në funksion të ekuilibrit, kur partitë ballafaqohen me ta përbri njëra tjetrës. “Partitë e vogla opozitare” i kanë propozuar politikës ide dhe zgjidhje të mëdha që i interesojnë krejt vendit, nganjëherë dhe rajonin. Këto parti nuk janë shquar shumë për qëndrimet sindikaliste, por janë gëzuar kur idetë e tyre politike janë përvetësuar nga pushtetit apo PS. Ndonjë ditë mund t’i numërojmë. “Partitë e vogla opozitare” bëjnë çmos të organizojnë sa më shumë takime, sa më shumë komisione. Më mirë do t’i bënin këto punë po të kishin trashëguar së paku nja 100 mijë dollarë nga fondi i solidaritetit, po të kishin ndërmarrje si “Shqiponja”, “Progresi” apo “Shpresa”. Akoma më mirë po të kishte pak drejtësi e respekt për ligjin në TV. Ata drejtues të PS që fluturojnë si të dalldisur në krahët e shifrave do të bënin mirë të ngrinin zërin kundër padrejtësive që u bëhen “partive të vogla”. Në qoftë se e dinë se nuk i dëgjon kush, atëherë le të mos fyejnë përpjekjet e jashtëzakonshme të partive që me vullnetarizëm po përpiqen për një farë kauze të demokracisë europianiste në këtë vend, duke gjykuar se shanset nuk i ka ngarkuar ende djalli në shpinë.
Preç Zogaj