Preç Zogaj për takimin Klinton-Berisha
(Botuar me 18 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Nga Preç Zogaj-
Ngjarje vendi për eksport
“Industria”shqiptare e ngjarjeve të vendit është nga të vetmet që nuk e ka ndjerë efektin e shok-terapisë të tranzicionit. Me pak ndryshime vazhdimësia në këtë degë të origjinalitetit dyngjyrësh kombëtar është siguruar. Ne në thelb vazhdojmë të eksportojmë ngjarje vendi të së njëjtës markë, si p.sh. ngjarjet që lidhen me kalimin ilegal të kufijve tokësorë dhe detarë, ngjarje që lidhen me persekutimin dhe dënimin e alternativave politike të pushtetit, me sulmet e fshehta kundër segmenteve të pavarura të drejtësisë etj. Këto lloj ngjarjesh kanë fatin të kalojnë kufirin dhe të mësohen nga mijëra njerëz të tjerë që flasin anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht… Por vini re! Këto ngjarjet tona vetëm merren vesh, por nuk ndikojnë, djalli e mori as edhe një grimë politikën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, këto ngjarjet tona shkojnë në tregun e madh të informacionit botëror vetëm sa për të krijuar imazhin e një Shqipërie herë të mëshirueshme e herë primitive. Nuk mungojnë dhe krahasimet e tepruara me Afrikën, siç bënte para disa javësh gazeta e madhe franceze “Le Mond”. Gjithsesi askush këtu nuk ka fuqi të magjepsë gazetarët e huaj dhe as të programojë asosacionet e tyre. Ky realitet flet vetë pa ndërmjetës. Ai lexohet në gjuhën universale të vështrimit. Ndërkohë e përsërisim: shumëkush këtu ka mundësi dhe forca për të ndërprerë eksportin e atyre ngjarjeve, domethënë të ndërpresë prodhimin e hakmarrjes politike tradicionale të të gjitha formave, të ndërpresë manovrat e shëmtuara të kësaj ane për të triumfuar mbi lirinë dhe gëzimin e tjetrit, të ndërpresë prodhimin e urrejtjes politike, efektet shkatërruese të së cilës shumëfishohen këtu për shkak të hapësirës së ngushtë ku jetojmë. Kjo ndërprerje do të shënojë për lindjen e kulturës politike të kohës, për lindjen e konkurrencës së ndershme, të shanseve të barabarta, të bashkëjetesës qytetare. Nuk ka dyshim se Shqipëria do të jetojë edhe mijëra vjet të tjerë, qoftë edhe e mbushur me urrejtje e nam të keq. Këtu nuk është në pikëpyetje ekzistenca. Por Shqipëria nuk mund të arrijë shoqet e veta. Nuk mund të bëhet një vend modern pa kulturën e re politike. Të gjithë ata që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri, sigurisht e dinë që jemi një popull i vogël këtu me njëri tjetrin dhe për njëri tjetrin. Të huajt na ndihmojnë, por as na shpëtojnë dhe as na edukojnë. Alternativa e vetme është bashkëjetesa, mundësisht në respektin e plotë të gjithsecilit. Jo për sytë e botës, po për vendin tonë. Vendet e mëdha kanë si amortizator të dallimeve politike pikërisht popullsinë e madhe. Vendet më të vogla si Izraeli apo Greqia, p.sh. aplikojnë në funksion të afrimit dhe të kohëzimit të njësive të ndryshme elektorale. Kudo ka përvoja të veçanta dhe universale njëkohësisht. Ne duhet të marrim ato që i shkojnë vendit tonë, natyrës tonë, madhësisë dhe rolit tonë. Shpeshherë gjithashtu nga një vend apo grup vendesh bëhen veprime politike që paralajmërojnë deri në revizionimin apo prishjen e statuskuosë së tanishme për ta zëvendësuar me një të re. Veprime të tilla kanë jehonë në të gjithë botën. Shqipëria do apo nuk do është e përfshirë në këto lëvizje të mëdha të politikës dhe të akseve të saj. Shqipëria nuk mund të bëjë qorrin, strucin apo balerinën e spektakleve për konsum të brendshëm që s’di se ç’bëhet jashtë. Prandaj është me interes “të importojmë”ngjarjet dhe frymën e ngjarjeve botërore për të qenë të përgatitur, fleksibël e të përgjegjshëm përballë tyre.
Shiraku ringjall de Golin
Të nesërmen e fitores së zgjedhjeve presidenciale, herët fare në mëngjes, Presidenti i Francës Zhak Shirak, shkoi inkonjito dhe u përkul mbi varrin e idolit të tij, Charl de Gol, burri legjendar që udhëhoqi rezistencën antinaziste të francezëve dhe themeloi Republikën e pestë të atij vendi. Shiraku dhe partia e tij quhen golistë. Në leksikun e tyre politik tingëllojnë si refren fjalët grandeur (madhështi) dhe l’indenpandance (pavarësi), që aq shpesh i ka pas përdorur aq shpesh de Gol. I njohur si pasardhësi më i vendosur i de Golit, presidentit të porsazgjedhur Shirak, normalisht do të shkonte të përkulej mbi varrin e gjeneralit, por askujt nuk i ka shkuar ndërmend se ai do të rimerrte stilin e tij për të afirmuar madhështinë dhe pavarësinë e Francës. E papritura ndodhi. Në fillim të kësaj jave presidenti Shirak urdhëroi rifillimin e provave bërthamore në ujërat e Paqësorit midis Australisë dhe Zelandës së Re. Prova e parë u krye për t’u pasuar nga pesë të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm. Mbarë bota reagoi si ta kishte sulmuar një ëndërr e keqe, gati e harruar. Në fakt Franca ka nënshkruar në vitin 1993 një Traktat Ndërkombëtar për ndalimin e provave bërthamore në kuadrin e procesit të ri që nisi me marrëveshjet e çarmatimit midis SHBA dhe ish BS në një anë dhe me rënien e Murit të Berlinit që shënoi dhe fundin e luftës së ftohtë në anën tjetër. Reagime negative pati dhe nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Klinton nuk u rezervua t’ia shprehte në sy pakënaqësinë e tij presidentit të Francës Shirak gjatë ndalimit që ky i fundit bëri në SHBA rrugës për në Halifad të Kanadasë ku do të mbahej takimi i grupit të 7 vendeve më të industrializuara.
Opozita socialiste franceze po ashtu reagoi mjaft ashpër duke akuzuar presidentin për shkelje të njëanshme të një traktati ndërkombëtar të cilin Franca e ka nënshkruar. Por edhe analistë dhe politikanë të së djathtës franceze u shprehën kundër vendimit të Presidentit duke gjetur në veprimin e tij reminishencat e një degolizmi të tejkaluar nga realitetet bashkëkohore. Kështu ndërsa provat e forcës apo karshillëku i njohur i de Golit ndaj SHBA shikohen si të justifikuara nga rrethanat e kohës, Shiraku akuzohet si plaxhiat e anakronik. Kurse ish këshilltari i Miteranit, Jaque Attali, sheh këtu një anakronizëm të rrezikshëm që mund të ushqejë orekset e shumë vendeve për të prodhuar armë atomike. Attali pohon se kostoja e prodhimit të bombës atomike ka rënë në nivelin e 200 milion dollarëve. Debati në median franceze fillon e rrok të gjitha anët e problemit. Flitet për anakronizëm por flitet gjithashtu për “skenarin e Bosnjës”që në kushtet e mospjesëmarrjes amerikane, është shndërruar në vrimë të zezë për vendet e Evropës. Evropa ka dy lokomotiva. Njëra është ekonomike dhe quhet Gjermani, tjetra është politike dhe quhet Francë. Gazeta “France Soire” shprehet se duhet folur drejt e drejt. Operacioni amerikan për marrjen e pilotit të rrëzuar në territoret serbo-boshnjake është një mesazh i qartë politik për Francën dhe Evropën: SHBA nuk është. Tani Franca dhe Anglia le t’i bëjnë vetë llogaritë, le t’u dalin vetë zot pengjeve dhe sfidave… Klima e këtij debati të ndezur nxjerr në sipërfaqe kundërshti të tjera franko-amerikane në kuadrin e marrëveshjes “Gat” dhe e tërë kjo atmosferë gjen motin e mirë në kampin e degolistëve që lartësojnë la gradeur l’indepandance. Fillon e kristalizohet lobi që mbështet vendimin e Shirakut për rifillimin e provave bërthamore. Ky lob nuk është pa aleat, makare aleat të heshtur. Anglia nuk prononcohet. Ushtarët anglezë e francezë janë bashkë në llogoret e Bosnjes. Gjermania nuk prononcohet. Italia mjaftohet të shprehë “befasinë”. Po ashtu Kina nuk prononcohet. Duket se kjo vendosje personazhesh i jep guxim një gazetari të gazetës rajonale të Parisit të bëjë pyetjen se mos kufijtë e luftës së ftohtë po zhvendosen në ujërat e Oqeanit Atlantik. Për ne shqiptarët ka më shumë rëndësi pyetja se ç’do të bëhet me luftën në Bosnje? A do të jetë në gjendje Evropa ta ndalojë këtë masakër e të vendosë paqen? Si do të akordohen veprimet e Evropës me veprimet e SHBA për një zgjidhje definitive të krizës ballkanike? Apo çdo shpresë duhet lidhur njëlloj si duart e Presidentit Amerikan Bill Klinton që ka kundër Kongresin e dominuar nga republikanët kundërshtarë? Të interesuarit pikësëpari për zhvillimet në rajonin tonë të nxehtë ne gjithsesi nuk mund të mos çajmë kokën për çdo problem e çdo krisje të Aleancës Euroatlantike. Politika jonë zyrtare si dhe partitë e opozitës tani janë në një mendje për aksin e politikës sonë të jashtme, pra për aleancën euroatlantike. Po si do të vepronim ne, në qoftë se fatkeqësisht do të vihemi para dilemës për të zgjidhur njërën pjesë të aleancës?
Të vijë në shtator…
Kryetari i Shtetit të Shqipërisë e ka merituar herët të ftohet në Shtëpinë e Bardhë për t’u parë me Presidentin Amerikan Bill Klinton. Përqindja e elektoratit antikomunist që nxori në krye kryetarin e shtetit ka qenë më e madhe se në asnjë vend tjetër të Lindjes. Shqipëria ka qenë dhe është një vend mik për SHBA. Asnjë problem nuk ka mbetur pa u zgjidhur. Pra, kur flitet se kush u ftua i pari e kush i dyti, ne shqiptarët themi se kryetari i shtetit tonë duhej të ftohej herët, pse jo i pari. Nuk mund të besojmë se administratës së Klintonit i ka rënë në vesh dhe i ka mbetur qejfi që ndonjë lider i PD është shprehur gjatë fushatës elektorale amerikane në favor të Bushit. E kemi të vështirë të besojmë se kryetari i shtetit tonë nuk është thirrur në kohën e merituar thjesht nga inati. Për ta mbyllur këtë gjykim sportiv, le të përsërisim shprehjen popullore: “Më mirë vonë se kurrë”. Por tifoja nacionale nuk hiqet kaq lehtë. Duke mësuar nga një radio amerikane që transmeton disa minuta shqip lajmin se kryetari i shtetit tonë do të pritet në Shtator në Shtëpinë e Bardhë, ndjeva një dëshirë gërryese të harroj disa gjëra. Kryesorja desha të harroj disa lajme të botuara në shtypin qeveritar këto gjashtë muajt e fundit dhe që bën fjalë për ngulmimin e disa kongresmenëve amerikanë pranë Presidentit Klinton për t’i rezervuar ky i fundit një takim kryetarit të shtetit të Shqipërisë. Nuk kam arritur të kuptoj se përse duhej ngulmuar kështu për një takim të thjeshtë, dhe mbi të gjitha nuk kam arritur të kuptoj se përse duheshin botuar këto gjëra në gazetë. Se tani krijohet përshtypja sikur Bill Klinton nuk deshi t’ua proshte kongresmenëve që ka rreth e rrotull dhe ja ku e gjeti një datë në Shtator për t’i kënaqur të gjitha palët. Domethënë një takim për t’u parë, për të folur pak, për të shtrënguar duart… Kurse unë do të kisha dashur një takim politik që vjen natyrshëm si domosdoshmëri e pashmangshme i dy krerëve të shteteve për t’u takuar, për të shkëmbyer ide e projekte, për të vendosur diçka të re në interes të ndërsjellë, në rastin konkret, në interesin tonë. Kjo domosdoshmëri e kontaktit politik vjen kur ka situata për të trajtuar e zgjidhur, kur ka karta politike për të luajtur. Por gjithsesi, sapo të njihemi me objektivat politike të kryetarit të shtetit tonë gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe sapo të marrim vesh rezultatet, vetvetiu shija e keqe e vizitës me shumë ndërhyrje do të bjerë. E shoh se politika më ka bërë shumë të matur, më ka hequr tharmin e krijuesit, të poetit. Ka qenë një poet i madh në Turqi (më duket rron ende) që quhet Dagllaxha. Ai ka punuar librashitës dhe para se t’i botonte i varte poezitë e tij në xham të librarisë. Ai ka shkruar për Presidentin e vendit të vet një poezi që titullohet: “Mos i hip atij kali të bardhë”. Për më hollësisht mund të gjendet poezia.
Preç Zogaj