Preç Zogaj: Unë mbroj veten, për të mbrojtur edhe të tjerët
(Botuar me 7 Janar 1996 në KOHA JONE)
Nga Preç Zogaj-
Përvjetori pa emra
Pardje u kremtua në Tiranë 5-vjetori i daljes së numrit të parë të gazetës RD, ditë që shënon lindjen e shtypit të lirë dhe alternativ në Shqipëri. Nuk është për t’u çuditur që një gazetë, në harkun e 5 vjetëve, ndryshon kryeredaktorë, stafin apo platformën. Por është anormale që 5-vjetori i saj të fiksohet si jubile unikal në Shqipëri e ndofta në botë, dhe nuk përmendet asnjë emër, a thua se “zëdhënësja e revolucionit demokratik” , na paskësh qenë një krijesë anonime. Dhe kështu zakonet e ngulitura enveriste dhe frika për ta parë të vërtetën në sy e shndërruan përvjetorin në një farsë. E vërteta e parë e rrokshme në distancën 5 janar 1991 – 5 janar 1996 lidhet me faktin se të punoje në “RD” 5 vjet më parë rrezikoje të të merrnin shpirtin, ndërsa të punosh sot në “RD” “rrezikon” të marrësh shtëpi dhe të gjitha nderimet e rezervuara për mercenarët e rralluar dhe qiradhënësit e emrit. Unë dhe shokët e mi bashkëkrijues të gazetës së parë opozitare nuk kemi ndonjë zell për të rivendikuar autorësinë e mbuluar me heshtje, mundimet dhe sakrificat e para 5 vjetëve apo respektin që mund të meritojmë qoftë edhe në shenjë mirënjohje për ata mijëra shqiptarë që zgjoheshin në të zbardhur për të blerë gazetën tonë. Populli i vitit 1990 është gjallë akoma. Nuk kemi zell për ca arsye të thjeshta: Ne nuk ishim të vetmit që mund të krijonim gazetën e parë antikomuniste. Ne i kishim marrë parasysh rreziqet e mundimet dhe në shkëmbim të tyre nuk aspironim asnjë shpërblim tjetër përveçse ndarjen e vendit nga ideologjia, filozofia, praktika etj., metoda e mendësia komuniste. Ne e përbuzim triumfalizmin që kërkon të sajojë me çdo kusht figura heronjsh me origjinë nga kafenetë. Për ne nuk është i mjerë ai popull që nuk ka hero por ai popull që ka nevojë për një hero. Bash për këtë, megjithëse një pjesë prej nesh janë malësorë, ne jemi të pandjeshëm ndaj gradave në sup, dekoratave, medaljeve, pozave, duarshgtrëngimeve hipokrite. Por jemi të ndjeshëm ndaj falsifikimit të paskrupullt të së vërtetës, mosmirënjohës ekstrem dhe provokacioneve të poshtra të kameleonëve të përjetshëm. Këtu nuk flitet më për “ngrënie haku”, por për moralin e kohës. Ndërsa ata nxitojnë të retushojnë të vërtetën, unë kam të drejtë të nxitoj gjithashtu për ta ndriçuar.
E vërteta e bukur
Gazeta “RD” u themelua dhe u ndërtua kryesisht në 10-ditëshin e dytë të dhjetorit 1990. Gjatë kësaj kohe u organizuan tre takime të rëndësishme me krijues dhe intelektualë të njohur për mendime progresiste e guxim qytetar. Takimi i parë i gjerë u organizua në sallën e Kinoteatrit “Studenti”. Dhjetëra intelektualë nga ata që përmenda iu përgjigjën ftesës sime për t’ u njohur me platformën e gazetës dhe për ta mbështetur atë me shkrime e sugjerime. Ky takim i organizuar në formën e një konference shtypi u ndërpre në mes sepse arriti lajmi për legalizimin e PD nga Ministria e Drejtësisë. Të gjithë të pranishmit u hodhën përpjetë nga gëzimi. Një spektakël i vërtetë puthjesh, përqafimesh e brohoritjesh mbylli atë takim. Pas dy ditësh platforma e mbledhur e gazetës “RD” dhe linjat e një epoke të re në fushën e lirisë së shtypit, u shpallën prej meje në mitingun e madh që organizoi PD me rastin e legalizimit të saj. Nuk do ta harroj kurrë brohoritjen e rreth 100 mijë njerëzve kur mikrofonat shpërndanë tej e tej frazën: Prej sot, askujt nuk mund t’i shqiptohet dënimi me burg dhe çdo dënim tjetër për ushtrimin e lirisë së shtypit! Një takim i dytë me një rreth më të ngushtë intelektualësh dhe gazetarësh u organizua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Tashmë kërkesa dhe dokumentet për legalizimin e gazetës ishin depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, ishte përcaktuar një farë stafi, kryesisht me student, ishte caktuar, me një marrëveshje me zotin Sali Berisha, kryeredaktori. Ky ishte Frrok Çupi, të cilin unë ua prezantova pjesëmarrësve. Në këtë takim shumë krijues e gazetarë u angazhuan të mbështesnin “RD”. Sigurisht jo ata që do të na sulmonin pareshtur pas 22 Marsit 1992, teksa u emëruan dhe vazhdojnë të emërohen njëri pas tjetrit në krye të mediave shtetërore-qeveritare. Një takim i tretë u organizua me këshillin botues ku u fiksua stafi i fillimit dhe problem të tjera. Një botues nuk e ka të vështirë as sot të imagjinojë telashet e çeljes së një gazetë. Ca më tepër në dhjetor 1990 kur kudo, në Ministri, në shtypshkronjë, në postë, bashkë me dashamirësinë takoje edhe habinë, inatin, zemërimin e nganjëherë edhe urrejtjen: ju, dashkeni të bëni gazetë kundër? Në këtë ambient zvarritjet shumëfishohen, të vjen shpirti në majë të hundës, ikën, kthehesh dhe kështu pa mbarim. Nuk ka linotip për ne. Nuk ka pllaka për të faqosur! Kjo është përgjigja e drejtuesve të trembur që nuk e dinë se ç’po ndodh. Tipografët na dalin krahë. Me 4 janar materialet e gazetës së parë dërgohen në katin e katërt të shtypshkronjës tjetër, ngjitur me atë të gazetave. Radhitja dhe faqosja bëhen atje. Pastaj pllakat e rënda me “RD” e parë në plumb I zbresim në krahë për t’i çuar në shtypshkronjën ku është rotativi. Shkallë, errësirë, pellgje me ujë. Dikush bën dritë me copa gazetash në formë pishtari. Po të bjerë një pllakë nuk ka një gazetë të nesërme. Dhe njerëzit janë njoftuar se do të ketë. Rreth orës 3 pas mesnate dalin kopjet e para. Lodhja largohet. Të gjithë, studentë e gazetarë përqafohemi dhe urojmë tipografët. Afrohet mëngjesi dhe Shqipëria gdhihet me gazetën e parë të lirë, të cilën makinat dhe këmbësorët e çuan brenda ditës anekënd vendit, deri në burgjet ku të burgosurit politikë prisnin me ankth e shpresë lirimin. Në numrin tjetër unë shkrova pikërisht për disa prej tyre. Kur filluan të liroheshin, shumë prej të burgosurve politikë vinin në redaksi, disa prej tyre drejt e nga burgu, për të na parë, njohur e falënderuar. Moria e telasheve pafund e shtyu kryeredaktorin Frrok Çupi të shkruante kryeartikullin, siç thuhej atëherë, ku prezantonte numrin e parë dhe ngrinte dyshimin se numri i dytë do të pengohej. Në stilin e tij Frroku, vuri në lëvizje disa ambasada dhe agjenci shtypi që ngritën zërin në mbrojtje të gazetës së parë opozitare shqiptare, gjë që ndikoi për pakësimin e pengesave dhe kështu, “RD” u nis për të mos u ndalur. Ajo do të mbetet edhe kur RD e sotme të zbresë në një mijë kopje. Numri i 5 janarit është meritë e shtypit që lulëzoi e lulëzon vrullshëm tani. Kanë kaluar 5 vjet. Shumë detaje nga ajo kohë i fshin dalëngadalë harresa, dhe çuditërisht kur kthej kokën prapa, e para gjë që më vjen në kujtesë janë mëngjeset e hershme të dimrit 1991, kur duke u kthyer nga shtypshkronja, shohim se radhës së njerëzve për të blerë qumështin i është shtuar radha për të blerë gazetën. “Ja çfarë bëmë, thoshim me shaka. Shtuam edhe një radhë tjetër”.
“Peshqeshe” në përvjetor dhe restoja ime
Shkrova se na mungon zelli për të rivendikuar autorësinë e mbuluar me heshtje. Shtoj se na mungon zelli gjithashtu për të kërkuar falje që e bëmë. Ah, por çfarë do të konsumonin e festonin në 5-vjetor ata që nxinë kundër meje faqet e RD më 5 Janar 1996? Kam përshtypjen se stafi i sotëm as që u kujtua se gazeta ka përvjetorin dhe për këtë nuk kishin asnjë faj. Ua shtiva ndërmend në takimin me reporterët e këshillit të Europës. Në atë takim, duke respektuar kulturën politike të reporterëve, unë paraqita argumentet e mia kundër komisionit qeveritar të pastrimit, kundër kriminalizimit në grup të qindra mijëra njerëzve nga ligji në fjalë dhe kundër përjashtimit të subjekteve politike nga e drejta e pjesëmarrjes në komision, gjë që e ushqen shqetësimin e bazuar për manipulime e diferencime të fakteve e personave. Meqenëse mbrojtësit mendjelehtë të ligjit përsëriten shpesh dhe me ton “nevojën urgjente për të prerë çdo rrënjë të lidhjes me komunizmin”, unë shtrova pyetjen: A mos vallë qenka më i lidhur me komunizmin një ish kulak që e kanë regjistruar në regjistrat e sigurimit të shtetit sesa drejtorët e shtypit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës? Shpjegimet e mia u dëgjuan me respekt, madje u përcollën me një miratim të vazhdueshëm koke nga përfaqësuesi i RD. Të nesërmen në mënyrë më banale gazeta “RD” shkruante për themeluesin e saj se ai ka “hallin e vet, pasi dihet e shkuara e tij”. Ky ishte “peshqeshi” në jubile. Natyrisht, unë nuk jam një vemje që të mos mbroj vetveten. Unë i përkas një race që është mësuar të hyjë në portat e jetës me gjoks e jo me kurriz; në këmbë e jo duke u zvarritur. Sot i madh e i vogël e ka marrë vesh se mëkatarët, frikacakët dhe kameleonët ja kanë flijuar lirinë e tyre, nëse e kanë, shantazhit policesk që u dikton votat, shkrimet e misionet etj. Etj. Kurse unë e gëzoj dhe ushtroj lirinë time, të cilën nuk ma ka dhuruar kush, por e kam merituar duke shkuar çdo ditë në luftë për të, siç thotë Gëtja. Shpresoj se një ditë zoti Berisha do t’u bëjë me dije vartësve të tij të shtypit se gazetari dhe shkrimtari Preç Zogaj nuk ka njohur as takuar gjatë gjithë karrierës së vet asnjë operativ dhe se ai si njeri i letrave, është survejuar nga sigurimi, natyrisht jo si bashkëpunëtor por si kundërshtar. E vërteta i ndihmon të gjithë dhe kjo e vërtetë do të provohet në mos nga ish-miqtë e mi, nga ish-armiqtë e mi që sot kanë frikë të flasin pasi i plasin në burg. Pra unë nuk kam aspak “hallin tim”, por jam i prirë të shoh përtej ligjeve të vdekur dhe të ndihmoj për një çlirim të madh të shoqërisë dhe individëve. Sipas pikëpamjes së demokratëve të vërtetë në gjithë botën çdo ligj ka si qëllim kryesor mbrojtjen dhe sigurinë e individit. Edhe liderit e PD kanë filluar ta deklarojnë se individi i lirë është themeli dhe qëllimi i demokracisë. Por pyes: mbrojnë apo godasin ligjet thellësisht evazive për pastërtinë e figurës? Për demokratët e vërtetë në gjithë botën, liria dhe të drejtat nuk u duhen mohuar as armiqve të lirisë. Formula “jo liri për armiqtë e lirisë” bën me justifikime të gjitha despotizmat, vetëm filozofi liberal Aron. Këtu pra dallohen demokratët, këtu mbushet me lëndë diskutimi kush është i majtë, kush është i djathtë, kush është komunist, kush është liberal! Në Shqipëri ka forca politike që e shikojnë me shumë shqetësim tendencën për ta përdorur të kaluarën si një dorashkë për ta kapur në fyt njerëzit. Të gjithë vijmë nga një shoqëri totalitare. Intelektualët janë për nga natyra të goditshëm. Shteti i ri nuk mund të ndërtohet mbi dobësitë e njerëzve. Këto pohime të zotit Neritan Ceka tregojnë një vizion tjetër për çlirimin e shoqërisë nga e kaluara. Një bashkim i madh vullnetesh do të realizohet në Shqipëri për të nxjerrë nga qarkullimi mantelin e centaurit, për të çliruar njerëz të thjeshtë, deputetë, drejtorë mediash, sekretarë partish, madje edhe oficerë që kanë shërbyer në rrethin e Tropojës dhe që sot për sot “privilegjohen” në krahasim me ish kolegët e tyre të rretheve të tjera kufitare. Kodi penal do të veprojë kundër atyre që kanë bërë krime. Dënimet do t’i japë gjykata. Shqipëria do të pajtojë ligjet e veta me ato të Këshillit të Evropës. Kjo është rruga e drejtësisë për të gjithë. Kjo është rruga e mbarë për çdo politikan. Kjo është restoja ime për peshqeshin e “RD”.
Preç Zogaj