Preç Zogaj: Vepra që po ndërton Berisha quhet “eliminim”

(Botuar me 1 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Preç Zogaj-

Kur erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, zoti Sali Berisha e kishte të garantuar qëndrimin për 5 vjet në postin e tij. Këtë garanci ia jepte ligji kushtetues, mazhoranca parlamentare dhe vetë fryma e re e kohës. Kësisoj, ai nuk kishte asnjë arsye për të mos ja nisur punës me qetësi për të ruajtur si individ dashurinë e njerëzve e për të fituar si President i paanshëm respektin e forcave të ndryshme politike. Në këtë rrugë, bashkë me ezaurimin pozitiv të mandatit të parë, do të vinte natyrshëm rizgjedhja për një mandat tjetër presidencial. Është e njohur thënia se burrat e shtetit mendojnë para së gjithash për të shërbyer qytetarët e jo për zgjedhjen pas 5 vjetësh. Mirëpo në rastin e Berishës kemi shembullin e njeriut që pasi e shijon brenda 24 orëve kënaqësinë e mandatit 5-vjeçar, i fiksohet mendja tek mandati tjetër. Regjistri i tij emocional dhe veprimet e tij të paparashikueshme, shpeshherë antikushtetuese, shpjegohen më së miri thjesht me ambicien e tij për t’u rizgjedhur patjetër. Kjo ambicie, duke qenë e hershme ka qenë e tepërt, shumë e tepër për jetën politike postkomuniste në Shqipëri. Me pak fjalë Berisha ka filluar ta përjetojë emocionalisht shumë shpejt fatin e rizgjedhjes pas 5 vjetësh. Zhvendosja e panatyrshme në kohë e preokupimeve kryesore të kryetarit të shtetit vështirë se mund të shpjegohet me natyrën e individit Berisha. Sot për sot ne nuk i dimë mirë shkaqet por kjo nuk do të thotë se nuk do t’i mësojmë nesër për të kuptuar se si një politikan bëhet rob dhe peng i së ardhmes së tij. Sot për sot ne dimë se si është shfaqur e interpretuar kjo ambicie që ka mbajtur e mban në tension të lartë politikën shqiptare. Të nesërmen e fitores më 22 mars, Berisha ka gjetur si pengesë kryesore në rrugën e tij atë legjislacion modest në volum, por demokratik në përmbajtje që u krijua gjatë vitit 1991. Kompetencat e Presidentit të Republikës i rrinin shumë ngushtë orekseve të tij për të vënë nën kontroll komandë të gjitha pushtetet. Dhe kështu, akti i parë i Parlamentit të dominuar nga PD ishte zgjerimi i dukshëm i kompetencave të Presidentit. Që nga ai çast kushdo mund ta merrte me mend se Berisha nuk kishte ndërmend të qeveriste me parimin e delegimit të kompetencave, por të autoritarizmit. Autoritarizmi dhe arroganca në thelb i demotivojnë bashkëpunëtorët e vartësit. Krijohet një hierarki frike, mosbesimi e hilerash. Përgjegjësia nuk është e brendshme. Në demokraci, kur autoritarizmi dhe arroganca drejtohen kundër mendimit opozitar, ato natyrshëm krijojnë hapësira të gjëra për korrupsionin në pushtet e administratë. Ndryshimet e dendura në qeverinë Meksi të këtyre 4 vjetëve dhe korrupsioni galopant vërtetojnë këto që themi. I pangopur me kompetencat e reja, Berisha tentoi vitin e kaluar të sanksiononte pushtetin e plotë personal nëpërmjet projekt kushtetutës që paraqiti në Referendumin e 6 Nëntorit. Ai rrezikoi në Referendum pikërisht për ato të shkreta superkompetenca, nëpërmjet të cilave do t’i kishte duart të lira për të ngushtuar në maksimum hapësirat e opozitës. Ai rrezikoi për të kapur vitin 2002. Humbja, siç u tha atëherë ishte epike, por në atë teatër qeniesh të plagosura që flisnin për verdiktin e popullit, nuk kishte sinqeritet. Humbësi i madh, Berisha as e çonte ndërmend të divorcohej me idenë e përjashtimit të konkurrentëve politikë, si e vetmja rrugë sipas tij për të fituar përsëri. Këtu nuk kemi të bëjmë me fitore në fushën e betejave politike, por me tentativa për uzurpim të shtetit. Në këtë moment, ambicia e paparagjykueshme e politikanit për t’u rizgjedhur komprometohet keq sepse kërkon të realizohet në kundërshtim me normat e funksionimit të jetës politike në demokraci. Këtë tani po e kupton i madh e i vogël dhe sigurisht shqiptarët nuk mund të venë peng demokracinë për hir të ambicieve personale të Presidentit. Ndërkohë edhe llogaritë se duke përjashtuar me dhunë konkurrentët mund të fitohet loja politike janë bërë gabim. Sistemi demokratik i lind pareshtur konkurrentët politikë. Berisha ka treguar me kohë se cili është mjeti i tij i vetëm për ta kastruar konkurrencën politike. Mjeti i tij janë regjistrat e lënë trashëgim nga ish sigurimi i shtetit, dosjet e reja e të vjetra, e të tjerë. Këtë trashëgim që rrok fate, drama apo dhe poshtërsi njerëzish, Berisha e kriminalizon në përgjithësi, pa asnjë lloj klasifikimi, se si e si që të godasë ata që nuk i bien në gjunjë, ata që nuk e kanë njohur e nuk e njohin artin e lëpirit të çizmeve. Pranë tij kushdo mund të prekë lirinë për t’u nënshtruar. Por meqenëse kundërshtarët e tij politikë janë majtas e djathtas, janë ish komunistë e ish të burgosur, atij i del nga koka një ligj nga më absurdët dhe më monstruozët që mund të ketë njohur lëmshi tokësor ku në emër të luftës kundër gjenocidit komunist vihen njëri pas tjetrit ish anëtari i Byrosë Politikë për dhjetë, njëzet e tridhjetë vjet. Brez pas brezi do të duartrokitet kjo vepër e mendimit juridik të mjekëve të bllokut ish komunist e ndërkohë të gjithë do të shprehin aderimin e pakufishëm që njëri nga këta mjekë me emrin Sali Berisha ishte i vetmi engjëll që militoi për vite e vite në organizmat e diktaturës, pa u njollosur as sa e zeza e thoit. Shembulli i shkëlqyer i këtij engjëlli mund t’u transmetojë brezave mesazhin se nuk ishin ingranazhet e diktaturës 50-vjeçare që u binin në qafë njerëzve, por ishin njerëzit që përlyheshin me dashje e me qejf për ta. Dhe prandaj aleati i madh i Presidentit të parë demokrat shqiptar është ingranazhi i diktaturës komuniste, të cilin, duke e përdorur me tendencë, pa kritere e në mënyrë spekulative, në fakt po e rehabiliton. Prej këtu shteti i tij është shteti i krijuar mbi bazën e fajeve, gabimeve apo sekreteve të padëmshme të atyre që votojnë dhe u japin fuqi ligjore urdhrave të Berishës. Rasti i freskët është kapitullimi i ulët dhe mjeran i grupit të deputetëve me dosje, me dëshmi, me denoncime, me korrupsion, që nuk guxuan të kërkonin paraprakisht një ligj të qartë për dosjet, që nuk guxuan të kërkonin një ligj të qartë për kriminelët e vrasësit, torturuesit e dhunuesit e qytetarëve shqiptarë, por votuan plot frikë në zemër një ligj blanket duke u shkrirë si kamikaz, duke u bërë kurban në këmbët e urdhëruesit. Këtu nuk bëhej fjalë fare për të dënuar ata që kanë kryer akte gjenocidi, të gjithë deputetët e PD njëlloj si zoti B. Kopliku që abstenoi e dinin se ç’po bënin, por u detyruan, si i thonë fjalës, me material shtrëngues. Mendoj se kapitullimi në demokraci me materialin shtrëngues të diktaturës, është një akt moral më i rëndë se sa kapitullimi në diktaturë, ku nuk ka asnjë dritë. Ata deputetë që e bënë këtë kujtojnë se do ta marrin me vete në vetminë e tyre të nesërme të fshehtën e tyre. Kanë gabuar dhe gabojnë. Do të kishte qenë më dinjitoze që t’i merrnin të fshehtat e jetës së tyre nga duart e S. Berishës për t’ia treguar opinionit publik. Sidomos një militant aktiv i partisë që ideoi luftën e klasave, krimin e agjitacionit e propagandës, armën e sigurimit e tjerë siç është Sali Berisha, nuk ka tagër të mbajë në duar e të përdorë jetën e të tjerëve. Ca më tepër kur opinioni publik nuk di asgjë për aktivitetin e tij si sekretar partie. Nuk ka dyshim se këto radhë do t’i hedhë rishtas në sulm kundër meje përçuesit e mllefit të shefave, në pushtet të cilët janë shumë të dëshpëruar që P. Zogaj edhe kur qe adoleshent dhe i mohuan të drejtën e shkollës nuk u bë spiun i shokëve, nuk bëri asnjë poshtërsi dhe u çlirua vetë qysh herët nga operativi i provincës për t’u reshtur më vonë ku punonte në Tiranë në radhën e krijuesve që ndiqeshin nga sigurimi i kryeqytetit. U vjen keq ndofta që në fisin tim, në vend të tre viktimave të komunizmit të pagjetura ende, nuk kam tre ish sekretarë partie; u vjen keq që gjatë vitit 1990 kam luftuar për hapësira të reja demokratike; u vjen keq që bashkë me disa nga këta shefa që tani kanë ndryshuar kaq shumë themeluam me guxim e pastërti gazetën e parë opozitare në Shqipëri. Po ju drejtohem edhe një herë të mos lodhen kaq shumë se nuk do nxjerrin gjë në dritë, nuk do të arrijnë gjë. Po t’ju mbushet mendja të bisedojmë e të bashkëpunojmë për të ndërtuar diçka të mirë në vendin tonë, unë dhe kolegët e mi jemi kurdoherë të hapur. Në të kundërt, ju vazhdoni andej nga keni ardhur. Vazhdoni ndërtimin e veprës suaj që quhet eliminim. Ne do të vazhdojmë andej nga shkojmë.
Preç Zogaj

SHKARKO APP