Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare

 Ekspozitë  e fotogazetarit të shquar shqiptaro-amerikan George Tames

 Nga Kristaq Balli/Prej dt. 8-21 Nëntor 2016 qëndron  hapur në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë ekspozita e fotoreporterit të shquar amerikan  me origjinë shqiptare, George Tames (1919-1994) e titulluar “Presidentë amerikanë dhe Marrëdhëniet me Shqipërinë – Retrospektivë përmes lentes së George Tames, fotoreporterit shqiptaro-amerikan të New York Times.” Përveç të tjerash, George Tames konsiderohet si fotoreporteri që për më se 40 vjet duke punuar për gazetën The New York Times  fotografoi 10 presidentë amerikanë rresht që nga Franklin D. Rusvelt e deri tek George H.W.Bush. Pikërisht foto-portretet e tyre përbëjnë strukturën e ekspozitës, të shoqëruara me komente dhe artikuj e karikatura stigmatizuese të shtypit shqiptar kundër tyre gjatë periudhave respektive, kur Shqipëria ishte anëtare  e Traktatit të Varshavës dhe i përkiste Lindjes komuniste. Ekspozita, nëpërmjet këtij ballafaqimi  mëton të hapë dialogun historik mbi kujtesën dhe identitetin.  Koncepti i vendosjes përballë të këtyre fotove dhe medias jo të lirë e demokratike shqiptare përbën simbolikën ekspozicionale dhe pasqyron realisht jetën e izoluar të disa brezave shqiptarësh gjatë periudhës së diktaturës komuniste, duke ftuar njëherësh brezat aktualë të kthjellojnë vështrimin e tyre në mënyrë kritike  mbi faktin se si morën formë identitetet nën regjimin komunist dhe të hedhin një  hap të ri në vlerësimin  dhe perspektivën e historisë shqiptare të shekullit të kaluar, si dhe me ngjarjet që na kanë shoqëruar nga Lufta e Ftohtë në një shoqëri të lirë e demokratike.

Shumë ekspozita janë çelur me fotot e tij në ShBA, shumë vlerësime  e çmime i takojnë atij për vlerat e paçmuara shoqërore e artistike të krijimtarisë së tij të bollshme;  institucione politike, historike  e kulturore dhe personalitete shoqërore e  artistike kanë shprehur konsiderata të epërme ndaj figurës  profesionale, artistike e humane të George Tames, madje edhe për librin e tij të mrekullueshëm “An Eye on Washington” (Një Sy mbi  Washington).  Ai e përjetoi profesionin e tij jo vetëm si një fotograf e fotoreporter i rëndomtë, por si një kërkues, zbulues dhe studiues e transmetues i regjur i fenomeneve, ngjarjeve, personazheve nën një optikë vetjake për të shpalosur esencën humane, për t’i atribuuar gjithçkaje që ai merrte përsipër atë çka meriton realisht me jehonën e  realitetit në të ardhmen. Vetë drejtuesit e gazetës “Los Angeles Times” i shkruante presidentit Klinton se …” George Tames zotëronte aftësinë unike për të fotografuar momentet më dëshmuese të jetës.” “Ai përdori mençurinë dhe hijeshinë për të fituar atributin e fotografimit të 10 presidentëve. Kjo ishte një ecje e pakrahasueshme…. Ai kishte një sy të mrekullueshëm” shprehet vetë gazeta “The New York Times”. “George Tames…konfirmoi çdo të thotë të jesh një fotogazetar. Tames, mendjehollë, me një gjuhë ndonjëherë të mprehtë, por gjithmonë një njeri zemërfisnik… Syri i tij mund të kapte një moment që thoshte shumëçka në një rrahje zemre dhe përkthehej në një imazh që mund të jetonte gjithmonë” (Washington Post) Producenti i dokumentarit mbi George Tames,  Ken Bërns  i ka cilësuar fotot e Tames-it si   foto që mbeten. Që flasin në mënyrë elokuente, që kanë dhe do të kenë jetëgjatësi, që janë qartësisht ADN e historisë sonë politike në 50 vitet e fundit. Ai ishte përgjues i brezave të ardhshëm – një penetrues i thellë në  peizazhin dhe shpirtin tonë politik më shumë se një reporter që shprehet me fjalë” “Ai i njihte lojtarët në lojën politike. Ai bënte punën e tij në sfond. Ai kishte një sy të jashtëzakonshëm. Ai përdorte njohuritë e tij të realizonte fotografi të mrekullueshme që do të mbeten në librat e historisë” (Wally Benett-fotograf). ”Si gjithë fotografët e shkallës së parë, George kishte syrin e një artisti dhe reflekset e një sportisti…, ai ishte i aftë të fiksonte ndjesinë e një ngjarjeje dhe jo vetëm identitetin e subjekteve të tij.”(Howell   Raines – shkrimtar). “Tames e pranonte që ai pati sukses në  gazetën për të cilën punonte. Duke e konsideruar veten si ‘anije akullthyese’ me peshën e The New York Times-it prapa tij, ai lëvizte nëpër Capitol si një pjesëmarrës në procesin politik. Ndërkohë Tames e vlerësonte çdo anëtar të Senatit, çdo president dhe çdo kongresmen nëpërmjet syve dashamirës, ai  i vlerësonte ata si të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Ai gjithashtu besonte që qeveria nuk mund të funksiononte pa pjesëmarrjen e qytetarëve të informuar në mënyrë transparente dhe mori mbi vete çdo mundësi për t’i ndarë njohuritë që ai zotëronte nëpërmjet lenteve të aparatit të tij.

Si asnjë fotograf tjetër,  ai realizoi në mënyrë të pandërprerë korpusin fotografik të dhjetë presidentëve amerikanë, zv.presidentëve dhe stafeve administrativë të presidencave të tyre. Ky opus imazherik përbën një pasuri të pakrahasueshme e autentike, një precedent superior dhe një eveniment të rrallë veprimtarie vetjake, që mbetet një rast i vetëm unikal në historinë mediatike të Shtëpisë së Bardhë. Shumë prej fotografive të tij përbëjnë dëshmi vizive shumë të rëndësishme e domethënëse për historinë e ngjarjeve politike e historike amerikane e botërore  të gjysmës së dytë të shek. XX. Dhjetëra punime të tij fotografike mund të konsiderohen me plot gojë edhe si vepra artistike të një fotografi të pajisur me intuitë e talent gjeniun, por edhe të kultivuar gjatë veprimtarisë së tij profesionale e artistike 50 -vjeçare. Arkiva fotografike e George Tames do të vijojë të  mbetet një bllok i madh pamor, një sy i mprehtë  i së kaluarës dhe i reflektimeve të ardhme të shoqërisë amerikane.

Ekspozita është pjesë e projektit të mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe është kuruar nga  OTTOnomy dhe vajza e fotografit, Stafanai Tames.                                                                                                                                                                                               Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë  Donald Lu,  në konsideratat e tij për këtë ekspozitë është shprehur: “Fotografi shqiptaro-amerikan George Tames ka ngërthyer disa prej fotove më emblematike të presidentëve amerikanë… Nëpërmjet fotografive të tij, Tames ka treguar historitë e presidentëve të Shteteve të Bashkuara. Fotot e tij ilustrojnë përpjekjet dhe sfidat e atij posti, si dhe të vendit tonë në tërësi, e jo vetëm triumfet. Po ashtu, ato kapin edhe anën  njerëzore të presidentëve amerikanë, si dhe paraqesin një dritare nga ku mund të vrojtohet vendosmëria, përqendrimi dhe përkushtimi që ata i kanë dhënë këtij posti. Për të shënuar progres, është me rëndësi që historia të pasqyrohet me ndershmëri. Shpresoj që këto imazhe do të ndihmojnë që këtu në Shqipëri të çelet një bashkëbisedim lidhur me të shkuarën, si dhe lidhur me ecjen përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur.”

Ndërkaq Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt e vlerëson kështu ekspozitën: “…Kultura memorial ka fuqinë që ta verë në punë kujtesën traumatike në një mënyrë pozitive… Ajo duhet të zhvillohet në një diskurs shoqëror, sa më gjerë që të jetë e mundur. Këndvështrimet e ndryshme me të kaluarën duhet të respektohen, për aq kohë sa ato nuk mbrojnë krime. Shoqëria ka nevojë për kohë dhe informacion për të eksploruar atë që ka qenë e gabuar dhe atë që ka qenë e drejtë në të kaluarën, deri sa të arrihet në sendërtimin e një narrative kolektive liberalizuese. Në Shqipëri, kjo narrativë është ende në ndërtim e sipër. Historianët dhe artistët kanë rol jetik për të luajtur. Duke provokuar debatin apo madje edhe polemikat, ata ndihmojnë që me koncepte të ndryshme t’i jepet formë një tabloje të së shkuarës. Kjo ekspozitë është një hap i rëndësishëm në të zhvilluarit e narrativës së vetë Shqipërisë.”

Edhe drejtorja Akademike dhe koordinatore e të Drejtave Njerëzore të OTTOnomy (kurator i ekspozitës), Dr. Lory E Amy nëpërmjet një vlerësimi intrigues mendon se “…Dialogu që kjo ekspozitë çel është veçanërisht i rëndësishëm për nisjen e një dialogu që mund të shkrijë të shkuarën me të tashmen, e që, kësodore, ne mund të skicojmë një shtrat të qartë për të ardhmen…”

Ndërkaq  Alfredo Zamudio, drejtor i Qendrës Nansen për Paqe dhe Dialog duke iu referuar ekspozitës thekson se “Dialogu na ndihmon që të zhvendosemi nga “historia ime”, për tek “historia jote” dhe për të rrënjosur “historinë tonë”. Dialogu nuk është domosdoshmërisht pajtim apo negocim me të tjerët, por të pranosh se mundësitë më të mira për t’u rritur dhe për të lulëzuar janë nëpërmjet bashkëpunimit. Dialogu na ndihmon që të arrijmë paqen, pa shtypje, nëpërmjet ndryshimeve në sistem, me përfshirje, frymëzim dhe shpresë. Nëpërmjet dialogut, dashuria për njerëzimin mund të jetë një burim frymëzimi për të ndrequr apo krijuar lidhje të reja shoqërore, si edhe për të përfytyruar së bashku se si mund të sendërtohet një e ardhme më e mirë.”

Ekspozita shoqërohet, gjithashtu, me një kalendar veprimtarish të tjera plotësuese si ato në Universitetin Amerikan të New York-ut, Akademinë e Filmit dhe  Multimedias Marubi, Universiteti Europian i Tiranës, Muzeu Historik Kombëtar etj.

George Tames do të mbetet në memorien dhe vetëdijen e botës mediatike amerikane si një prej mjeshtërve më jetëgjatë e më prodhimtarë të fototekës amerikane që i la asaj jo vetëm pasurinë enumerike, por edhe shumë e shumë dëshmi retrospektive autentike të ngjarjeve deçizive historike, kryesisht nëpërmjet portreteve e fotove presidenciale, zhbirimit të tyre psikologjik politik, dramatik,  human, familjar, intim, lirik, që, në fakt, pasqyrojnë figurativisht edhe gjendjen shpirtërore të kombit amerikan në situata respektive historike, politike, ekonomike, shoqërore.

SHKARKO APP