Presidenti amerikan: Trupat amerikane nuk do të shkojnë në Ukrainë

Sonte Presidenti amerikan Joe Biden mbajti një fjalim para popullit amerikan nga Shtëpia e Bardhë ku njoftoi sanksionet e ashpra kundër Rusisë.

“Ne kemi parashikuar atë që do të ndodhte. Ne paralajmëruam çfarë do të ndodhte në dy rajonet. Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj Ukrainës. Ne paralajmëruam për atë çfarë mund të ndodhte. Kombet e Bashkuara bënë thirrje të ruhej sovraniteti i Ukrainës. Kur u bënë këto thirrje, paralajmërime, nisi edhe sulmi i Rusisë në Ukrainë. Ne kemi qenë transparentë dhe kemi dhënë informacionet e duhura për atë që do të ndodhte. Putin zgjodhi agresionin, luftën dhe tashmë ai do të përballet me partnerët. Jemi të gjithë të bashkuar në këtë mision. Ashtu sikurse e bëmë të ditur edhe në takimin e G7, do të kemi një kundërpërgjigje të përbashkët kundër Rusisë. Do t’ia kufizojmë Rusisë mundësinë për të bërë biznes e për të qenë pjesë e ekonomisë globale. Pra do të jenë sanksione ekonomike”, tha Biden.

“Presidenti Putin zhvendosi 175,00 trupa dhe pajisje ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe solli gjak dhe ndërtoi spitale në terren, thotë presidenti amerikan. Kjo tregon për qëllimet e tij gjatë gjithë kohës, shton ai.
Putini hodhi poshtë të gjitha përpjekjet për dialog që Perëndimi ofroi që do të kishte shmangur vuajtjet dhe konfliktet”, vazhdon presidenti Biden.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s dhe për të qetësuar ata aleatë në lindje”, thotë ai. “Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s me fuqinë e plotë të fuqisë amerikane.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Biden shton se ai beson se NATO është më e bashkuar se kurrë më parë dhe se “nuk ka dyshim” se SHBA dhe vendet e tjera të NATO-s do të përmbushin angazhimet e tyre të traktatit.

Mijëra forca tokësore dhe të tjera amerikane janë dislokuar në vendet e NATO-s në Evropën Lindore që ndihen të kërcënuara nga Rusia, duke përfshirë Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë në Baltik, si dhe Poloninë dhe Rumaninë.

Sanksionet kanë në objektiv bankat ruse, oligarkët dhe sektorët e teknologjisë së lartë, tha Presidenti Biden. Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të bllokojnë asetet e katër bankave të mëdha ruse, do të vendosin mekanizma kontrolli ndaj eksporteve dhe do të vendosin sanksione ndaj oligarkëve.

Masat ndëshkimore i përmbahen këmbënguljes së mëparshme të Shtëpisë së Bardhë se do të synojnë të godasin sistemin financiar të Rusisë dhe të rrethit të brendshëm të zotit Putin, ndërkohë që do të vendosin edhe mekanizma kontrolli ndaj eksporteve, të cilat do të godasin industrinë dhe ushtrinë ruse duke i mohuar qasjen tek mikroqarqet gjysmëpërcjellëse të prodhuara në Amerikë dhe produktet e tjera të teknologjisë së lartë.

Presidenti Biden nuk vendosi aktualisht disa nga sanksionet e tjera më të ashpra, si p.sh. përjashtimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin, apo ndaj sektorit energjitik rus.

Presidenti Biden i njoftoi sanksionet ndërsa qeveria ukrainase raportoi një rritje të numrit të viktimave ndërkohë që tanket ruse po sulmojnë nga lindja, veriu dhe jugu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?