Presidenti Begaj reagon për protestat: Dhuna s’është mjet i pakënaqësisë! Zyra ime e hapur për dialog
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me protestat dhe traizat në Tiranë, ku thotë se dhuna s’është mjet për të shprehur pakënaqësinë, por as forca e policisë s’mund të kalojë kufijtë e ligjit. Ai shpreh gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari dhe mbetet i hapur për dialog me ta. Thirrja e tij mbetet për vetëpërmbajtje e përgjegjësi nga të gjitha palët.
Reagimi i plotë
Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.
E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.
Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.
Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.

