Mali i Zi/Presidenti dhe zv/kryeministri thirren në Prokurori. Po pse hesht kryeministri?!

Në Prokurorinë Themelore në Podgoricë, sot janë marrë në pyetje zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Sipas autoriteteve, dëshmitë janë dhënë pas ankesës së Presidentit Millatoviqit në polici se më 1 gusht zv/kryeministri Gjeloshaj i kishte dërguar mesazhe kërcënuese.

Gjeloshaj tha se para prokurorit ka mohuar të ketë kërcënuar presidentin e shtetit dhe sqaroi se është marrë në pyetje në cilësinë e qytetarit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Më vjen keq që (Millatoviq) na futi në këtë cirk – për qytetarët, për mua personalisht dhe për strukturën politike që përfaqësoj”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, Millatoviq tha se, përveç mesazheve tashmë të raportuara, “kërcënimet kanë vazhduar edhe nga persona të afërt me Gjeloshajn”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë ushtrimit të detyrës. Çfarë duhet të presin gjyqtarët kur japin vendime, apo prokurorët kur ngritin aktakuza?”, u shpreh Millatoviq.

Mesazhet e përmendura Gjeloshaj i kishte dërguar në ditën kur Millatoviq ia kishte kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme – një nismë e partive shqiptare, përfshirë Alternativën Shqiptare që drejton Gjeloshaj.

Pas kësaj, nga kjo parti i dërguan mesazh presidentit se “nuk është më i mirëpritur në Malësi”.

Gjeloshaj ishte kryetar i komunës së Tuzit – qendër e rajonit të Malësisë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët – deri në vitin 2023.

Presidenti Millatoviq i ka bërë thirrje kryeministrit, Millojko Spajiq, që të shkarkojë Gjeloshajn për shkak të kërcënimeve.

Qeveria ende nuk ka reaguar, ashtu si edhe partitë e shumicës parlamentare.

Çfarë përmbajnë mesazhet e Gjeloshajt që po hetohen nga prokuroria?

Pas vendimit të presidentit Jakov Millatoviq për të mos nënshkruar ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i dërgoi disa mesazhe, të cilat Millatoviq i cilësoi si kërcënuese dhe i publikoi në platformën X (ish-Twitter).

“Nuk është dashur të futesh në këtë çështje. Tani prite reagimin e shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”, shkroi Gjeloshaj në një nga mesazhet.

Të njëjtën ditë, Gjeloshaj mohoi publikisht se i kishte bërë ndonjë kërcënim presidentit të shtetit.

Në të njëjtën kohë, ai e akuzoi Millatoviqin se kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin me qëllim “për të përfituar personalisht, bashkë me kumbarrën e tij”, por pa ofruar detaje konkrete për përfitimet e pretenduara.

Ashtu siç kishte paralajmëruar në mesazhe, pas refuzimit të ligjit erdhi një reagim i gjerë nga partitë dhe organizatat shqiptare në Mal të Zi.

Vizita e Gjeloshajt në SHBA pa miratim nga Qeveria

Më 18 korrik, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, zhvilloi takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me drejtorin e FBI-së, Kash Patel, dhe të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, me qëllim – siç tha ai – “forcimin e marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe SHBA-së”.

Por nga kabineti i kryeministrit Milojko Spajiq u tha për gazetën Vijesti se Qeveria nuk kishte miratuar asnjë platformë për këtë vizitë.

“Të gjitha takimet eventuale që z. Gjeloshaj ka zhvilluar nuk janë realizuar në bazë të ndonjë mandati të dhënë nga Qeveria dhe, për rrjedhojë, konsiderohen si aktivitete private”, thuhet në reagim.

Vetë Gjeloshaj e cilësoi të pavend këtë qëndrim të Qeverisë, duke thënë se “procedurat formale janë të parëndësishme krahasuar me rëndësinë e vizitës”, dhe këmbënguli se ai ishte atje në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Qeverisë.

Një organizatë shqiptare që përfaqëson diasporën e Malësisë në Nju-Jork ka akuzuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për “veprimtari anti-shqiptare”, në një letër publike.

“Së bashku me vendimin për të mos nënshkruar ligjin, ky është një akt i qartë anti-shqiptar, i drejtuar drejtpërdrejt kundër Komunës së Tuzit dhe më gjerë – kundër komunave me shumicë shqiptare në Mal të Zi”, thuhet në letrën e tyre.

Ata njoftuan se për këtë çështje do të informojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit si dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Pse po hesht Qeveria?

Qeveria nuk ka reaguar as ndaj thirrjes së Millatoviqit drejtuar kryeministrit Milojko Spajiq për shkarkimin e Gjeloshajt.

Marrëdhëniet mes Spajiqit dhe Millatoviqit janë përkeqësuar prej pothuajse dy vitesh. Për shkak të këtyre përçarjeve, Millatoviq u largua në vitin 2024 nga partia Lëvizja Evropa Tani, të cilën e kishin themeluar bashkërisht.

Të dy e filluan karrierën politike si ministra në qeverinë e parë pas rrëzimit të pushtetit 30-vjeçar të Milo Gjukanoviqit në gusht të vitit 2020. Pas rënies së asaj qeverie, ata formuan Lëvizjen Evropa Tani në qershor të vitit 2022. Falë popullaritetit të programit ekonomik të kësaj lëvizjeje, me të cilin u rritën pagat, ata fituan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2023./marrë me shkurtime nga REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?