Presidenti i AmCham: Investimet e huaja, Shqipëria e ka humbur konkurrencën me Serbinë dhe Malin e Zi
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço mori pjesë sot në punimet e Forumit Ekonomik të Tiranës II. Jaço theksoi se tërheqja e investimeve është më e rëndësishme se kurrë për Shqipërinë.
“Investimet krijojnë tregje të reja pune, mundësi biznesi dhe rrisin konkurencën. Por ato janë bërë edhe më kritike se kurrë, për arsye të reduktimit të pritshëm të 2 projekteve të mëdha TAP dhe Devoll – si dhe pasojave të tërmetit, i cili sipas reagimeve që ne kemi marrë nga anëtarët tanë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve konsumatore si dhe reduktimin e të ardhurave” u shpreh ai.
Presidenti i AmCham tha se, nisur nga kjo situatë është e rëndësishme që të analizohet se sa e aftë është Shqipëria për të tërhequr investitorë të huaj.
Për këtë çështje, Jaço u ndal tek performanca e Shqipërisë në nivel rajonal sa i përket thithjes së investimeve duke i’u referuar këtu edhe raportit të fundit të Bankës Botërore “Doing Business”,
“Investitori tipik i interesuar për Ballkanin merr një vendim se në cilin nga vendet duhet të vendoset për të mbuluar rajonin. Vendi në të cilin ai vendoset merr dhe pjesën kryesore të investimit.
Nëse shohim renditjen krahasuar me vendet e rajonit: Shqipëria është e 82-ta në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjës e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lartë. Mali i Zi renditet i 50-ti, Kosova e 57-ta, Serbia në vendin e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Pra, është Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Këtu ne dështojmë.” tha Presidenti i AmCham.
Duke ngritur këtë shqetësim, Jaço tha se është shumë e rëndësishme që pas Reformës në Drejtësi, Shqipëria duhet të hedhë një tjetër hap të domosdoshëm: Reforma për Investimet.
“Reforma për Investimet është e rëndësishme, jo vetëm sepse renditemi të fundit në rajon por ajo është thelbësore për potencialet e mëdha që ne kemi dhe që investitorët mund të shfrytëzojnë. Ne mendojmë se Shqipëria mund të bëhet lider për investimet e huaja në rajon dhe që të bëhet e tillë, kjo reformë është jetike”.