Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Tiranës
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Toni Gogu priti sot Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili ndodhet për nje vizitë zyrtare në Shqipëri. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën ekonomike, tregtare dhe investimeve bullgare në Tiranë.
Presidenti Radev tha se vizita në vendin tonë është një provë e mbështetjes së fortë të Bullgarisë përsa i përket integrimit evropian të Shqipërisë. “Jam këtu për të treguar se Bullgaria ju mbështet në përpjekjet tuaja për të transformuar vendin, e që në të ardhmen të jeni një anëtar besnik i BE. Ne besojmë te arritjet e shoqërisë suaj për transformim, në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; të gjitha këto arritje janë një provë e sigurt se Shqipëria shumë shpejt do të fillojë procesin e negociatave”, tha ai.
Teksa i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” në shenjë të miqësisë mes dy popujve, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu tha se ky vlerësim nga ana e presidentit bullgar për reformat e ndërmarra dhe për transformimin e qytetit të Tiranës është një inkurajim shumë i rëndësishëm në rrugën drejt bashkimit evropian. “Kur fqinjët vijnë dhe të urojnë për punët e mira të bëra në shtëpi, është një inkurajim shumë i madh”, tha ai.
Në Tiranë operojnë mjaft biznese bullgare, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po rritet numri i turistëve që vizitojnë qytetin.