Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Një klimë pozitive e biznesit do ndryshojë imazhin e Shqipërisë

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço tha sot se, krijimi i një klime biznesi me garanci ligjore dhe konkurrencë të ndershme, pa korrupsion e kriza politike do të ndryshojë imazhin e Shqipërisë dhe do të kthejë vendin në qendër të investimeve amerikane dhe ndërkombëtare në rajon.

Jaço e bëri deklaratën gjatë ceremonisë së 20-vjetorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në praninë e bizneseve amerikane, ndërkombëtare, e shqiptare, Ambasadores Yuri Kim, Ministres së Financave, Anila Denaj, zyrtareve te larte ne Washington dhe përfaqësuesve të Dhomës.

Klima e biznesit dhe rritja e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe SHBA kanë qenë dhe mbeten dy shtyllat kryesore të punës së Dhomës Amerikane të Tregtisë – u shpreh Presidenti Jaço.

Në lidhje me klimën e biznesit, Jaço tha: “Principet tona kanë qenë të qarta: praktika të sigurta dhe garanci ligjore për bizneset. Uljen e nivelit të korrupsionit dhe më shumë transparencë. Ne kërkojmë më pak kriza politike, më shumë bashkëpunim. Një sistem gjyqësor funksional dhe konkurrencë te ndershme. Këto çështje akoma ndikojnë klimën e biznesit dhe vijojnë të prodhojnë sfida. Por ne jemi optimistë për faktin që sot, klima e biznesit ka marrë një vëmendje tjetër nga të gjithë aktorët më të rëndësishem në vend dhe ata ndërkombëtarë”.

Presidenti i Dhomës Amerikane vlerësoi si historike Marrëveshjen Ekonomike Shqipëri-SHBA duke e cilësuar si “një moment kthese në lidhje me Investimet Amerikane në Shqipëri. Në mesin e pasojave kritike të krizës së COVID 19, ky është një lajm i mirëpritur për ekonominë Shqiptare. Por ky është vetëm fillimi i projekteve të tjera amerikane që mund të sjellë kjo marrëveshje. Ka ardhur koha që më shumë investitorë amerikanë të krijojnë filialet e tyre në Shqipëri, e përmes Shqipërisë të eksplorojnë edhe Rajonin e Ballkanit Perendimor” tha Jaço.
Për Presidentin e Dhomës Amerikane, kjo marrëveshje do të sjellë oportunitete të reja por edhe do shërbejë si një test për klimën e biznesit në Shqipëri dhe politikave për përmirësimin e saj.

Duke prezantuar bilancin e aktiviteteve të AmCham për vitin e kaluar, Presidenti i AmCham bëri të ditur se Dhoma Amerikane ka miratuar një Plan të ri Strategjik, shtylla kryesore e të cilit është Reformimi i Klimës së Investimeve. “Kemi nisur punën me një grup ekspertësh të brendshëm të cilët do konsultohen dhe me një numër ekspertësh të jashtëm dhe partnerësh ndërkombëtare. Po punojmë me një frymë konstruktive dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Sipërmarrjes në lidhje me realizimin e rekomandimeve” u shpreh ai.

Presidenti i Dhomës Amerikane e mbylli fjalimin me bindjen se “me bashkëpunimin e duhur mes aktorëve dhe përmbushjen e kritereve për Reformimin e Klimës së Biznesit, mundësitë për Shqipërinë do jenë më të prekshme se kurrë më parë”.

SHKARKO APP