Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe vjen në Tiranë, Rama: Donatori më i madh dhe mik i shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama, bën me dije se nesër mbërrin në vendin tonë një mik i vjetër i shqiptarëve, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan. Teksa e cilëson edhe si mikun e tij personal, kreu i qeverisë shton se Mohamed Bin Zayed Al Nahyan i është gjendur shqiptarëve në kohë të vështira, sikurse ndërtimi i aeroportit të Kukësit më 1999 dhe mikpritja e kosovarëve të shpërngulur nga lufta, por edhe si donatori më i madh për fondet e rindërtimit nga tërmeti në Durrës.

Fjala e plotë nga Rama

Mirëmbrëma nga Kryeministria. Nesër kemi një vizitë shumë speciale. Për herë të parë zbret në Shqipëri si president i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed Bin Zayed al Nahyan, një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i imi personalisht. Ai ka zbritur në Shqipëri më parë, në vitin 1999, me aeroplanin e tij, mbi pistën e aeroportit të Kukësit, që u shtrua nga i ati, sheiku Zayed. Themeluesi i Emirateve të Bashkuara, më mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulur me dhunë nga Kosova.

Asokohe Emiratet, nën porosinë e sheikut Zayed sollën sasi shumë të mëdha ndihmash, përmes asaj piste të ndërtuar enkas dhe presidenti që na nderon nesër, erdhi në këmbë të të atit, së bahsku me zëvendëspresidentin dhe sundimtarin aktual të Dubait, Muhamed bin Rashid Al Matum, që të dy ishin djem të rinj në forcat ushtarake të Emirateve. Vizita e presidentit të Emirateve dhe një prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme, shënjon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik, në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë në vitet e fundit.

Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij. Po ashtu nxiti marrëveshjen e rëndësishme të Portit të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë.

SHKARKO APP