Presidenti, Kryeministri dhe kryebashkiaku Veliaj urojnë shenjtërimin e Nënë Terezës: Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një postim në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës shkruan se mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar.

“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve. Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin” shprehet Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të publikojë në rrjetet sociale një shprehje të Shenjtores: “Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur”.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. “Sot, më 5 Shtator, përkujtojmë Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, një emër që simbolizon dhembshurinë dhe altruizmin. Trashëgimia e saj është një dritë udhëheqëse për të gjithë ne”, shkruan Veliaj.

SHKARKO APP