Presidenti Macron dhe Islami, Ilir Kulla: S’ka lidhje me fenë
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Ilir Kulla thotë se Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në fund të mandatit po kërkon që të sigurojë një mandate të dytë, duke luajtur me kauzën fetare. Sipas tij, ai erdhi me premtime të mëdha, por tashmë ndodhet në situatë të vështirë pasi protestat dhe Covid-19 e kanë dëmtuar shumë Francën.
”Protestat e jelek verdhëve dhe Covid-19 e kanë dëmtuar Francën dhe politikisht ai është shumë i dëmtuar dhe i duhet një kauzë tjetër për të larguar vëmendjen. Kriminelë që vrasin çdo ditë ka dhe do të ketë fatkeqësisht. Franca ka pasur dhe rekorde të tjera më përpara. Franca ka një traditë goxha të rëndësishëm gjithmonë 1/10 e popullsisë së saj ka qenë e fesë myslimane. Të ngatërrosh besimin fetar me mos zhvillimin e periferisë është si ne shqiptarët të themi që Kisha Katolike ka faj për gjakmarrjen në veri”, u shpreh Kulla.
Për thirrjet për të bojkotuar produktet franceze, Kulla tha se kjo nuk pritet që të ketë ndikim. Sipas tij diskuri i bojkotit dhe djegia e flamujve është i panevojshëm.
”Franca ka një pjesë të madhe të periferive të pa integruara dhe kjo nuk ndodh vetëm me francezët myslimanë por me të gjithë dhe kjo gjë riciklon kriza. Kemi parë një gjë të tillë dhe në Napoli të Italisë. Franca është një nga vendet që ka pasur një bashkëjetesë të gjatë me islamin. Kemi pas ministra dhe shumë deputetë myslimanë. Ajo çka ndodh sot nuk e shoh si problem mes Francës dhe Islamit, por e shoh si shprehje të krizës së BE në raport me emigrantët në jug të Europës”, shtoi më tej ai.