Presidenti Meta: 25 prilli, fundi i çetës së banditëve dhe oligarkëve

-Mesazhi i fortë dhe i prerë i Presidentit Meta: Shqipëria nuk futet dot në thes nga një çetë me banditë, oligarkë dhe arrogantë. HARROJENI! Më 25 prill 2021, Shqipëria në dorë të shqiptarëve!

Pushteti ekzekutiv dhe ekonomik sot nuk kontrollohet nga një qeveri normale dhe nga ligjet e tregut të lirë, por nga një grup politiko-ekonomik që sillet si bandë. Dhënia e koncesioneve dhe kontratave qeveritare bëhet vetëm për një grup njerëzish afër kryeministrit, duke shkatërruar krejt biznesin e vogël dhe të mesëm. PS-ja ka lenë pensionistët në mjerim, pasi nuk ka rritur pensionet e tyre, por i mashtron me 4 mijë lekë të vjetra gjoja shtesë pensioni.

Presidenti Ilir Meta ka dhënë dje një mesazh të fortë për zgjedhjet e 25 prillit. Në një reagim në rrjetin social Facebook, kreu i shtetit u ka kujtuar qytetarëve rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhme e vendit. “Shqipëria nuk futet dot në thes nga një çetë me banditë, oligarkë dhe arrogantë. HARROJENI! Më 25 prill 2021, Shqipëria në dorë të shqiptarëve!”,- deklaroi dje kreu i shtetit. Deklarata e fortë e kreut të shtetit ka shqetësuar dje kryeministrin Edi Rama. Në një replikë në Tëitter, Edi Rama shkruan: “Kryeministri Ke të drejtë Ilir, Shqipëria nuk futet dot në thes, shumë mirë e paske thënë! Prandaj boll e përdore Presidencën e Republikës si thes për atë farë LSI-je dhe Presidentin e Shqipërisë si gojën e shqyer të atij thesi!”. Sulmi personal i kryeministrit ndaj presidentit nuk u jep përgjigje çështjeve që shqetësojnë sot gjithë shoqërinë. Kryeministri shqetësohet për rritjen dhe efektin elektoral që do të ketë LSI në 25 prill dhe sulmet nervoze të tij e dëshmojnë më së miri frikën që ka rezultati i kësaj force politike. Por në qëndrimin e tij kreu i shtetit nuk ka folur për LSI, PD apo një parti të veçantë. Shqetësimet e kreut nuk kanë të bëjnë me partitë, por me drejtimin e rrezikshëm që ka marrë Shqipëria. Çështja e bandave, qeverisë së papërgjegjshme dhe oligarkëve sot gjenden të pasqyruara në të gjitha raportet ndërkombëtare që kanë dalë vitet e fundit për Shqipërinë.

Në pak fjalë, Presidenti ka përmbledhur problematikën kryesore në të cilën ndodhet sot vendi. Pushteti ekzekutiv dhe ekonomik sot nuk kontrollohet nga një qeveri normale dhe nga ligjet e tregut të lirë, por nga një grup politiko-ekonomik që sillet si bandë. Dhënia e koncesioneve dhe kontratave qeveritare vetëm për një grup njerëzish. Abuzimet me ligjet për tenderat dhe vjedhja e buxhetit të shtetit është një fenomen që këto vite ka mbajtur të lidhur pushtetin ekzekutiv me bizneset e veçanta. Qeveria u jep këtyre bizneseve paratë e buxhetit në mënyrë korruptive dhe këto biznese që përfaqësohen nga një grup njerëzish, i shërbejnë më pas qeverisë me mbështetje mediatike dhe deri në financimin e fushatave elektorale apo vjedhjen e votave. Kjo marrëdhënie mes qeverisë dhe oligarkëve nuk ka asnjë bazë ligjore dhe sado të justifikohet qeveria me parimet e ekonomisë së tregut, ky raport quhet vjedhje. Çdo qeveri ka detyrim të ndihmojë biznesin, por duke i krijuar kushtet për konkurrencë dhe duke i ulur taksat. Qeveria e Rilindjes i ka rënë shkurt në tetë vite. Ka marrë buxhetin e shtetit dhe e ndan vetëm me një grup biznesesh duke varfëruar shqiptarët dhe duke çuar pjesën tjetër të biznesit të ndershëm në falimentim.  Paratë që po vidhen janë të qytetarëve që paguajnë taksat në buxhetin e shtetit dhe sjellja e qeverisë me oligarkët është e ngjashme me atë të një bande grabitësish. Ndryshimi i vetëm është se paratë nuk vidhen me maskë në kokë nga kriminelë anonimë, por zyrtarë të qeverisë dhe biznesmenë që propaganda rilindase i shet si suksese të ekonomisë së tregut.  Rreziku më i madh që u kërcënohet këtyre zgjedhjeve është që kjo bandë grabitësish me pushtet politikë dhe ekonomik të tjetërsojë votën e qytetarëve dhe të manipulojë zgjedhjet. Është një bandë që sado sot duket e fuqishme dhe thurë ëndrra në diell për të qeverisur gjatë, rrëzohet me votë. Ndaj duhet që çdo qytetar që zotëron të drejtën për të votuar të shkojë te kutitë e votimit. Dhe të votojë kundër kësaj bande qeveritare.

Mili Xhani

SHKARKO APP