Presidenti Meta dekoron mësuesin nga Berati
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar mësuesin Kristaq Capo nga Berati. Kreu i shtetit thekson se Capo jo vetëm që ka qenë një mësues, por edhe i është bashkuar Rezistencës Antifashiste në 1939-ën. ”Kristaq Capo u dallua si një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste në Qarkun e Beratit duke frymëzuar të rinjtë dhe të rejat për t’iu bashkuar luftës antifashiste dhe ishte promotor i shumë aksioneve të suksesshme kundër pushtuesit. Ashtu si edhe shokët e idealeve Margarita dhe Kristaq Tutulani ai u arrestua tradhëtisht duke u ekzekutuar pas pesë ditë torturash çnjerëzore”.
Postimi i plotë
Me propozim të Shoqatës “Antipatrea Berat” ishte kënaqësi të vlerësoja me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” mësuesin patriot beratas, Kristaq Capo, i cili jo vetëm shërbeu me përkushtim atdhetar në edukimin e shumë fëmijëve në disa rrethe të vendit, por edhe iu bashkua Rezistencës Antifashiste, që në 7 prill ’39 me armë në dorë.
Kristaq Capo u dallua si një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste në Qarkun e Beratit duke frymëzuar të rinjtë dhe të rejat për t’iu bashkuar luftës antifashiste dhe ishte promotor i shumë aksioneve të suksesshme kundër pushtuesit. Ashtu si edhe shokët e idealeve Margarita dhe Kristaq Tutulani ai u arrestua tradhëtisht duke u ekzekutuar pas pesë ditë torturash çnjerëzore.
Berati i dha Luftës për Çlirimin e Atdheut djemtë dhe vajzat më të mira, nga familjet më qytetare dhe patriotike, ashtu siç i takon këtij qyteti me histori dhe tradita atdhetare. Ndaj duke nderuar heroizmin e Kristaq Capos nderojmë gjithë atë gjeneratë idealistësh, që bënë sakrificat më sublime për Lirinë.