Presidenti Meta: Dhurimi i gjakut nga të huajt, akt human dhe shprehje e mirënjohjes ndaj mikpritjes shqiptare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mëngjesin e sotëm ka qenë i pranishëm në seancën e dhurimit vullnetar të gjakut, të organizuar nga një grup shtetasish të huaj, rezidentë në Shqipëri, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Tranfuzionit të Gjakut në Laprakë, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij, ”Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Në këtë seancë, ku mori pjesë Ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad, blogerja dhe gazetarja britanike Alice Taylor, si dhe shumë shtetas të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e tyre, për kryerjen e këtij akti human në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe gjithë të sëmurëve të tjerë, që kanë nevojë për gjak, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë pandemie.

”Thellësisht mirënjohës për dhjetëra shtetas europianë dhe amerikanë, të cilët jetojnë e punojnë në vendin tonë, që të grupuar vullnetarisht ju përgjigjën thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, duke organizuan një seancë në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë. Falenderim i veçantë për nismëtaren e këtij akti human, gazetaren e blogeren britanike, Alice Taylor, si edhe për Ambasadoren e Suedisë, Elsa Hastad, të cilat dhanë vetë shembullin e tyre frymëzues edhe për ne. U ndjeva shumë mirë në bisedat me miqtë e huaj, të cilët më thanë njëzëri së akti i tyre human ishte shprehje e mirënjohjes për mikpritjen tradicionale shqiptare”,-shkruan Presidenti Meta në facebook.

Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Shqipëria vuan nga mungesa e depozitave të gjakut për fëmijët talasemikë e të sëmurët kronikë, por gjendja është përkeqësuar më tej nga pandemia Covid-19. Kufizimet dhe masat parandaluese kanë dekurajuar disi dhurimin e gjakut, por asgjë nuk ka për t’u frikësuar dhe me një akt human, secili prej nesh mund të shpëtojë jetë. Thellësisht mirënjohës për dhjetëra shtetas europianë dhe amerikanë, të cilët jetojnë e punojnë në vendin tonë, që të grupuar vullnetarisht ju përgjigjën thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, duke organizuan një seancë në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë.

Falenderim i veçantë për nismëtaren e këtij akti human, gazetaren e blogeren britanike, Alice Taylor, si edhe për Ambasadoren e Suedisë, Elsa Hastad, të cilat dhanë vetë shembullin e tyre frymëzues edhe për ne. U ndjeva shumë mirë në bisedat me miqtë e huaj, të cilët më thanë njëzëri së akti i tyre human ishte shprehje e mirënjohjes për mikpritjen tradicionale shqiptare.

Në këtë periudhë të vështirë pandemie, është koha të mendojmë për njerëzit më në nevojë, për të qenë pranë tyre, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës. Miqtë e vërtetë, njihen në ditë të vështira. Të tillë kanë qenë për popullin shqiptar, Bashkimi Europian dhe SHBA e shumë shtetas të tyre, të cilët gjithashtu i falenderoj edhe për ndihmat bujare të dhëna për luftën kundër pandemisë COVID-19.

SHKARKO APP