Presidenti Meta flet për tensionet me Ramën: Shkaku, uzurpimi i institucioneve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta një në intervistë për gazetën ”Mapo”, ka folur edhe për marrëdhënien e tensionuar me mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, gjithçka e ka zanafillën tek kryeministri që ka zhbërë çdo institucion demokratik në vend. ”Nuk është detyra e Presidentit të krijojë tensione, as me qeverinë, as me opozitën dhe as me një faktor tjetër, përkundrazi. Është kryedetyra e Presidentit t’i qëndrojë me përpikëri betimit të tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Përpjekjet e Presidentit kanë qenë gjithnjë për të mos lejuar cenimin e Kushtetutës dhe interesave të popullit shqiptar. Presidenti gjithmonë ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese”.

Pyetja dhe përgjigja e plotë

MAPO: Sa mendoni se kanë ndikuar vendimet tuaja, qendrimet që keni mbajtur, aktet, në shtensionimin e situatës. Ndërkohë, është evidente që ju keni krijuar po ashtu një lloj tensioni në përplasjet me qeverinë e shumicën..

Të gjitha mesazhet e Presidentit, që nga dita e parë e bërjes së betimit me dorë mbi Kushtetutë, e deri më tani, kanë qenë në shërbim të stabilitetit të vendit, përmbushjes së reformave kyçe, përparimit në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, si edhe të dekurajimit të konflikteve artificiale dhe absurde mes palëve, si një sport kolektiv politik i politikës shqiptare ku askush nuk mban përgjegjësi për veprimet që bën.

Të gjitha mesazhet e dhëna nga Presidenti dhe aktet e ndërmarra prej Tij, kanë synuar stabilizimin e jetës politike në vend dhe përmbushjen e reformave për integrimin europian të vendit, që duhet të ishin realizuar prej kohësh. Nëse sipas jush ka patur tension në marrëdhënien midis Presidentit dhe qeverisë apo shumicës, të gjithë janë të ndërgjegjshëm që ky tension asnjëherë nuk e ka patur burimin te Presidenca, por në dëshirën e paepur të kryeministrit për të zhbërë çdo institucion demokratik në vend.

Nuk është detyra e Presidentit të krijojë tensione, as me qeverinë, as me opozitën dhe as me një faktor tjetër, përkundrazi. Është kryedetyra e Presidentit t’i qëndrojë me përpikëri betimit të tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar.
Përpjekjet e Presidentit kanë qenë gjithnjë për të mos lejuar cenimin e Kushtetutës dhe interesave të popullit shqiptar. Presidenti gjithmonë ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese.

SHKARKO APP