Presidenti Meta kërkon miratimin e nismës për referendumet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë sërish thirrje për miratimin urgjent të nismës për referendumet, për të ndryshuar situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi. Sipas kreut të shtetit, votëbesimi i qytetarëve është përdhosur disa herë përgjatë këtyre dy dekadave, me ndryshime kushtetuese të nxituara, të pakonsultuara dhe të udhëhequra nga interesa politike afatshkurtra.

“Kjo nismë për referendumet duhet të miratohet urgjentisht. Në mënyrë që të kemi një ndryshim drastik të situatës, dhe kjo do të ndodhë vetëm kur populli të marrë në kontroll politikanët, dhe jo kur populli të mbetet peng i politikanëve”,-shkruan ndër të tjera Presidenti Meta në facebook.

Nga ana tjetër, Meta thotë se 97 copë deputetë e refuzuan apelin e Bashkimit Europian dhe votuan për bllokimin e çeljes së negociatave, jo deri në 25 prill 2021, por deri në zgjedhjet e tjera të pas 25 prillit 2021.

Postimi i plotë i Presidentin Meta

Miratimi i Kushtetutës në vitin 1998, mbi të gjitha ishte konsensual, pikërisht për shkak se mori votëbesimin e popullit. Për fat të keq, ky votëbesim është përdhosur disa herë përgjatë këtyre dy dekadave, me ndryshime kushtetuese të nxituara, të pakonsultuara dhe të udhëhequra nga interesa politike afatshkurtra.

Precedenti i parë ishte ai i vitit 2008, që i dha një goditje në zemër sistemit parlamentar dhe na çoi këtu ku jemi sot, nga demokracia parlamentare, në demokracinë e kryetarëve dhe të oligarkëve.

Kjo është arsyeja pse 97 copë deputetë e refuzuan apelin e Bashkimit Europian dhe votuan për bllokimin e çeljes së negociatave, jo deri në 25 prill 2021, se kjo është e padiskutueshme, por deri në zgjedhjet e tjera të pas 25 prillit 2021.

SHKARKO APP