Presidenti Meta: Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, Eliot Engel

Presidenti Ilir Meta ka falënderuar kongresmenin amerikan Eliot Engel për kontributin që ka dhënë gjatë detyrës së tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Në një mesazh në Facebook, kreu i shtetit shprehet se Engel është një mik i kombit shqiptar dhe avokat i palodhur  i shqiptarëve në Kongresin Amerikan.

Kongresmeni Engel është larguar nga detyra në Kongresin e SHBA pas 32 vitesh karrierë në politikën amerikane.

Mesazhi i kreut të shtetit për kongresmenin Eliot Engel:

“Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.

Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.

Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.”

 

SHKARKO APP