Presidenti Meta: Të tejkalohet kriza duke rishikuar modelin ekonomik

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me raportin e BERZH, ku thuhet se rënia ekonomike e Shqipërisë për vitin 2020 do të jetë -9%.

Referuar këtij raporti, Kreu i Shtetit deklaron se duhet të mendohet për të tejkaluar krizën duke rishikuar modelin ekonomik.

Të shfrytëzojmë avantazhin tonë gjeografik rajonal. Duhet të punojmë për të rritur prodhimin e energjisë. Zgjerimi i kapaciteteve portuale, mundësi tjetër për ekonominë. Jo vetëm shqetësuese, por tregojnë krizën e thellë të ekonomisë sonë”,- shkruan ndër të tjera Presidenti Meta.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:

Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Shqipërisë, janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.

Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.

Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial.

Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal.

SHKARKO APP