Presidenti Meta vlerëson me dekoratën ”Nënë Tereza”, organizatën e njohur bamirëse ”Caritas Italiana”

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” organizatën e njohur bamirëse “Caritas Italiana” për kontributin e shquar human në ripërtëritjen e jetës së shoqërisë shqiptare pas rënies së komunizmit, duke investuar dashuri dhe përkujdesje për integrimin e emigrantëve shqiptarë në shtetin italian. Me mirënjohje për përkushtimin ndaj ngritjes së institucioneve të bamirësisë në mbështetje të shtresave më në nevojë në Shqipëri, duke forcuar në këtë mënyrë solidaritetin dhe miqësinë mes dy popujve.

”Një jetë që jetohet pa ndihmuar të tjerët, nuk është jetë”, na ka mësuar Shenjtorja e madhe shqiptare dhe mbarë njerëzimit, Nënë Tereza. Më së miri këtë mesazh e ka vënë në jetë “Caritas Italiana”, që në tre dekadat e fundit ka dhënë një kontribut të shquar human në ripërtëritjen e jetës shoqërore në vendin tonë, duke investuar dashuri dhe përkujdesje për integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe forcuar më shumë, solidaritetin dhe miqësinë e shkëlqyer mes popullit shqiptar dhe popullit mik italian. Solidariteti, Drejtësia Sociale, Dashuria në Veprim dhe Humanizmi kanë qenë e mbeten misioni fisnik i kësaj organizate bamirëse, që me mirënjohje të thellë e vlerësova sot me Titullin e lartë “Nënë Tereza””,-shkruan Meta në facebook.

Kreu i shtetit teksa vlerësoi kontributin e kësaj organizate në integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali, ndërsa numëroi veprat dhe objektet që Caritas ka ndërtuar në shërbim të komunitetit, si: shkolla, kopshte, qendra komunitare, ambulanca, klinika të shëndetit mendor, shtëpi për strehimin e personave të rrezikuar nga trafikimi, qendra për të moshuarit dhe të braktisurit, objekte sportive dhe argëtimi për rininë etj. Meta tha se falë këtij përkushtimi dhe humanizmi, gjatë këtyre 30 viteve, me mijëra shqiptarë janë integruar në Italinë mike dhe shërbeu për të krijuar një miqësi të pandashme shumë shekullore.

SHKARKO APP