Presidenti Nishani, leksion në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Ljubljanës

Në vijim ligjërata e plotë e Presidentit Nishani:

“Të dashur studentë,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj të gjithëve për interesimin e treguar dhe praninë tuaj. Falënderoj, gjithashtu, autoritetet e Universitetit dhe Ambasadën shqiptare, që bënë të mundur organizimin e këtij bashkëbisedimi.

 

Të flasësh me studentë si ju është gjithmonë kënaqësi e veçantë, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Ne, politikanët, jemi  përgjegjës për botën, që do t`ju lëmë dhe për të ardhmen tuaj. Si qytetar i kësaj bote, si prind dhe kryeqytetar i vendit tim, e ndiej peshën e rëndë të kësaj përgjegjësie.

Ballkani është një rajon me histori e kulturë të pasur. Ai ka burime të shumta dhe bukuri të rralla natyrore dhe ndodhet në një pozicion shumë të favorshëm gjeografik. Falë edhe zhvillimeve më të fundit në vendet tona në rajon dhe në marrëdhëniet me institucionet euroatlantike, ne kemi  përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit, mundësi për një të ardhme të begatë dhe mjaft sfida të përbashkëta përpara nesh.

Vendet tona dëshirojnë më shumë mirëqenie dhe prosperitet  ekonomik dhe, për pasojë, ata kanë nevojë për paqe dhe stabilitet. Në këtë kontekst, fqinjësia e mirë është një faktor shumë i rëndësishëm. Me fqinjët jemi të detyruar të ndajmë të mirat dhe të përballojmë të këqijat. Ne nuk mund t`i zgjedhim ata, por, kemi detyrimin që të mirëkuptohemi dhe të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin. Për më tepër, askush nuk do të rrezikonte të investojë në një ambient të pasigurt për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët.

Bashkëpunimi politik në Ballkanin Perëndimor nevojitet si një element kritik për stabilitet. Ai është katalizator për pajtimin dhe politikën e fqinjësisë së mirë, që ndihmon të kapërcehet intoleranca dhe promovon mirëkuptimin reciprok.

Bashkëpunimi rajonal është, gjithashtu, i dobishëm në adresimin e sfidave të sigurisë, me të cilat përballet rajoni. Shumë çështje të ndjeshme, si: krimi i organizuar dhe korrupsioni, administrimi i integruar i kufijve dhe migrimi i paligjshëm, mund të trajtohen me efikasitet vetëm nëpërmjet qasjes ndërkufitare. Veprimi i bashkërenduar këtu ka qenë i domosdoshëm, jo si qëllim në vetvete, por si një mesazh i qartë te partnerët evropianë, se kemi vendosmërinë e duhur për të vepruar.

Forcimi i bashkëpunimit rajonal është në interesin më të mirë të vendeve tona të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, të Evropës Juglindore. Ai është faktor kyç për  stabilitetin politik, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.

Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është esencial edhe për Bashkimin Evropian, pavarësisht fazave të ndryshme të integrimit të vendeve tona, dhe një kriter i rëndësishëm për kursin e tyre evropian. Kjo qasje është plotësisht e shpjegueshme. Bashkimi Evropian, me të drejtë,  synon të evitojë importimin e mosmarrëveshjeve politike, problemeve ekonomike dhe sfidave të sigurisë, që mund të shoqërojnë futjen e secilit nga anëtarët e rinj.

I vetëdijshëm për domosdoshmërinë e përfshirjes së rajonit në gjirin e tij, Bashkimi Evropian ka investuar shumë për secilin vend dhe për rajonin, në tërësi. Nisma, programe dhe projekte të shumta rajonale janë iniciuar dhe mbështetur prej institucioneve evropiane. I fundit, Takimi i Berlinit është sipërmarrja më serioze dhe më konkrete. Ai shënon një pikë  referimi kulmore për rajonin tonë dhe marrëdhëniet e tij me Bashkimin Evropian.

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Sllovenisë e Kroacisë e vende anëtare të Bashkimit Evropian, u mblodhën në Berlin, me nismën e Kancelares gjermane Anxhela Merkel.

Ky takim ishte kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta, në një hark kohor pesëmbëdhjetëvjeçar, për të çrrënjosur mosbesimin dhe për të ndërtuar urat e komunikimit ndërmjet popujve dhe i reformave transformuese të shoqërive të Ballkanit.

Pa dyshim, bisedimet Kosovë-Serbi, ndërmjet Kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në Bruksel dhe Marrëveshja e arritur më 19 prill 2013, me lehtësimin e Baroneshës Ashton, e bën të pakthyeshëm  procesin e paqësimit në rajon.

 

Takimet e Presidentëve sipas të njëjtit format, në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit i paraprinë Berlinit, si një test i vullnetit tonë politik dhe provë e përkushtimit të fortë të Bashkimit Evropian ndaj politikës së zgjerimit.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen ndaj Sllovenisë dhe Kroacisë për ndërmarrjen dhe drejtimin e këtij procesi. Ky është modeli se si mund të ndihmohen fqinjët dhe rajoni. Kjo është fryma që duhet përcjellë. Kështu përshpejtohet integrimi evropian.

 

Takimi i Berlinit çel një fazë të re për avancimin e zhvillimit dhe prosperitetit rajonal, nëpërmjet zbatimit të projekteve madhore rajonale dhe më gjerë; të infrastrukturës, energjisë, transportit të naftës dhe gazit, turizmit, etj., me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Zbatimi i këtyre projekteve do të ecë përkrah me përparimin në fushën e reformave individuale dhe dialogun e bashkëpunimin mes vendeve tona.

Të dashur studentë,

Bashkimi Evropian bazohet në vlerat e përbashkëta evropiane të respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, të diversitetit kulturor, etnik dhe fetar, të solidaritetit dhe bashkëjetesës në harmoni me tjetrin ndryshe. Në këtë frymë, Shqipëria e konsideron  mirëkuptimin dhe bashkëpunimin rajonal si një parakusht për integrimin evropian.

Shqipëria dhe shqiptarët ishin të privilegjuar dhe fatmëdhenj që pritën, më 21 shtator 2014,  Papa Françeskun, në vizitën e tij historike në Shqipëri. Kjo ishte e dyta, në dy dekada, pas Udhëtimit Apostolik të Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993.

Ati i Shenjtë erdhi në Shqipëri për t`i dhënë një mesazh botës së përbërë nga fe dhe besime të shumëllojshme: “Mund të punojmë të gjithë së bashku!”. Dhe për këtë u zgjodh një vend, që përbën modelin e vëllazërisë fetare, të tolerancës dhe të pranimit të tjetrit ndryshe.

Shqiptarët ruajtën të gjithë hebrenjtë që jetonin në territorin e tyre. Shqipëria shërbeu, gjithashtu,  si vend transit strehimi për të gjithë hebrenjtë që largoheshin drejt vendeve të tjera për t`i shpëtuar gijotinës së Holokaustit. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre.

Duke filluar nga viti 1943, familjet shqiptare strehuan, deri në fundin e luftës, të gjithë ushtarët dezertorë italianë, më parë, ushtarë pushtues, që kërkuan ndihmë për t`i shpëtuar persekutimit nazist.

Kjo sjellje bazohet te “Besa”,  kodi i trashëguar i “fjalës së dhënë”, që do të thotë t`i gjendesh pranë me përkujdesje dikujt në nevojë.

Shqiptarët filluan bisedimet me serbët për hir të së ardhmes, ndonëse ende kanë të freskëta plagët e luftës.

Që nga viti 2008, shqiptarët po bashkëpunojnë me serbët dhe minoritetet e tjera etnike për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës, bazuar në standardet më të përparuara evropiane. Tashmë, Kosova e pavarur është një realitet, i njohur nga 108 vende të botës dhe një faktor stabiliteti.

Në qershor, vendi im mori drejtimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Nëpërmjet zbatimit të një agjende konkrete dhe ambicioze, po i kontribuojmë dinamizmit të këtij institucione për t`i shërbyer më mirë avancimit të bashkëpunimit dhe afrimit të vendeve dhe rajonit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Të dashur miq,

Para pak ditësh pamë se si një stadium futbolli u shndërrua në arenë të histerisë raciste dhe urrejtjes. Një ndeshje futbolli, që duhet të jetë një shfaqje miqësie, u shndërrua në një shfaqje të shëmtuar huliganizmi dhe mërije.

Nuk kam për qëllim të ngre akuza, por, dëshiroj të ve në dukje problemet që nxori në pah një ngjarje e tillë.

Intoleranca dhe urrejtja janë të huaja dhe të papranueshme  për vlerat mbi të cilat bazohet familja evropiane, ku të dyja vendet duan të shkojnë. Shqiptarët dhe serbët duhet të fokusohen tek e ardhmja, në vend që të rrëmojnë të shkuarën. Vetëm me dialog të hapur dhe konstruktiv mund të tejkalohet kriza e momentit dhe të zgjidhen problemet ekzistuese. Lufta verbale shterpë me tone nacionaliste dhe përpjekja e sforcuar për të sajuar skenarë fantazmagorikë janë qasja e gabuar, e cila e rëndon më tej, pa nevojë, situatën. Politikanët duhet të ngrihen mbi emocionet dhe interesat politike të momentit, në emër të së ardhmes.

Shqipëria e ka zgjedhur qartë opsionin e saj. Ne jemi për dialog. Shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët do të jetojnë të gjithë bashkë në këtë pjesë të Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Por, do të ishte naive të besojmë se vetëm dialogu mjafton.  Është e dukshme se duhet mbjellë mirëbesimi, i cili paraprihet nga njohja me njëri-tjetrin. Mosha e re e koreve raciste në stadiumin e Beogradit na tërheq vëmendjen se sa i rëndësishëm është ndërtimi i korridoreve të komunikimit njerëzor, veçanërisht ndërmjet të rinjve, në nivel rajonal, evropian e më gjerë.

Edukimi mbetet baza e suksesit tonë. Reformimi i arsimit, përveç synimit për arritjen e standardeve evropiane në formë dhe përmbajtje, duhet të ketë për objekt edhe çlirimin nga fryma nacionaliste, aty ku ajo ekziston. Historia, gjeografia dhe lëndë të tjera të ngjashme, janë disiplina shkencore. Ata nuk duhet të jenë më instrumente të shkurtpamësisë politike ditore dhe “armë diplomatike” për qëllime hegjemoniste.

Duhen mbështetur shkëmbimet kulturore dhe turizmi Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë rast të vetëm, kur turistët serbë që kanë vizituar Shqipërinë të kenë ndeshur probleme.

Shkëmbimet shkencore dhe studentore të të gjitha niveleve, gjithmonë e më shumë i shërbejnë thellimit të njohjes dhe shkëmbimit të eksperiencave. Nismat dhe rrjetet rinore ndihmojnë shumë në forcimin e lidhjeve njerëzore. Ju, të rinjtë sllovenë, si qytetarë të Bashkimit Evropian, pa dyshim, që mund të luani një rol të rëndësishëm në këtë kuadër.

Zonja dhe zotërinj,

Guximi, energjia dhe vizioni i ri i studentëve të dhjetorit 1990, hapi epokën e ndryshimit të madh për vendin dhe shoqërinë shqiptare.

Shoqëria shqiptare ka pësuar, gjatë njëzetekatër viteve të fundit, transformim rrënjësor. Shqipëria, vendi më i izoluar i Evropës, është, nga viti 2009, anëtar i NATO-s. Që nga qershori i shkuar është kandidat për në Bashkimin Evropian. Qytetarët shqiptarë lëvizin sot të lirë, pa viza në Evropë.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi kombëtar parësor pa alternativë, që gëzon mbështetjen mbarëshqiptare, dhe konsensus politik, pavarësisht kostos dhe sakrificave, të reformave të nevojshme, për këtë qëllim.

Statusi kandidat është shpërblimi i merituar për arritjet tona. Ne jemi të vetëdijshëm se do të duhen reforma më të shpejta dhe të thella. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, reformimi i sistemit të drejtësisë, i pavarur nga grupimet politike dhe grupet e interesit, ndërtimi i një administrate profesionale të depolitizuar, janë prioritetet tona në përpjekjet për të hapur bisedimet për pranim.

Gjithçka kemi arritur mban vulën e përpjekjeve tona. Realizimi i objektivave është përgjegjësi jona. Por, mbështetja e partnerëve tanë është, gjithashtu, jetësore.

Sllovenia ёshtë një vend që shërben si model referimi dhe dëshmie se edhe vende të vogla, siç janë vendet tona, me të kaluar të vështirë, mund t’ia dalin dhe të jenë të suksesshëm.

Sllovenia është një partner i rëndësishëm rajonal. Një vend me dimensionet e Shqipërisë, me histori të ngjashme, por më i suksesshëm se ne, Sllovenia ka qenë e gatshme të na japë eksperiencën e saj, për të cilën kemi shumë nevojë. Afërsia, historia e lidhjeve, aspiratat e përbashkëta dhe prania e një komuniteti shqiptar garantojnë miqësinë tonë.

Gjithashtu, Sllovenia ka mbështetur aspiratën tonë euroatlantike, duke u shndërruar një zëdhënës i fortë i saj  edhe falë faktit se na ndjen dhe kupton mirë. Sjellja e Sllovenisë, e cila zgjodhi dialogun dhe jo bllokimin si mjet për zgjidhjen e problemeve me fqinjët është me të vërtetë e admirueshme dhe një qasje për t’u ndjekur.

Njohja e Kosovës është një akt normal në frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, që karakterizon politikën e jashtme të Sllovenisë

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë janë të shkëlqyera. Megjithatë mbetem i bindur se bashkëpunimi ekonomik nuk i përgjigjet nivelit të bashkëpunimit politik midis dy vendeve, ndërkohë që ka mundësi e potenciale për ngritjen e tij në nivele më të larta. Me vullnet të përbashkët, do të diversifikojmë dhe thellojmë bashkëpunimin tonë.

Gjithçka e bëjmë me bindjen e thellë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe rajonit është e vetmja alternativë për t`i garantuar qytetarëve tanë një jetë me standarde evropiane. Ju faleminderit!”

Në përfundim të ligjëratës, Presidenti Nishani iu përgjigj pyetjeve të studentëve të pranishëm lidhur me reformat për integrimin evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin rajonal, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

SHKARKO APP