Presidenti Nishani niset drejt Mbretërisë së Bashkuar, Rama arrin në Bruksel

Rama vizitë dyditore në Bruksel, takime me zyrtarë të Parlamentit Europian

Në limitet e afatit ligjor për rikthimin e opozitës në Kuvend për të evidentuar djegien e mandateve, kryeministri Edi Rama duket se do të ketë një përballje jo dhe aq të lehtë me zyrtarë të Parlamentit Europian, institucion që deri më tani demokratët e kanë kërkuar si garanci për të zënë sërish vendet e tyre në Kuvend.

Kreu i qeverisë shqiptare ka udhëtuar drejt Brukselit për një seri takimesh që nisin me kryetarin e grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.

Grupi i PPE pak kohë më parë bëri një rezolutë në mbështetje të opozitës shqiptare, ku shprehte shqetësim për situatën politike në Shqipëri dhe dhunimin e opozitës në Kuvend. Pritet që edhe në takimin me kryeministrin Rama kreu i PPE-së të mos jetë larg këtij qëndrimi.

Ndërkohë në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, Kryeministri do të takohet edhe me Presidentin e PE, Martin Schulz, ku pritet me interes qëndrimi që ky i fundit do të mbajë për bojkotin disa mujor të demokratëve.

Vizita e kryeministrit Edi Rama vjen fill pas disa takimesh që në Parlamentin Europian patën disa deputetë opozitarë, të cilët thanë se kishin marrë garanci nga ky institucion për ndërhyrje në mënyrë që qeveria ti krijojë kushte opozitës për t’iu rikthyer jetës parlamentare.

Kryeministri, Edi Rama, është i ftuar të martën gjithashtu t’i drejtohet me një fjalë Samitit “Axhenda BE-Ballkani Perëndimor 2015-2020”, që organizohet nga “Miqtë e Europës” në Bruksel.

 

SHKARKO APP