Presidenti Nishani:Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare

Në fjalën e Tij, Presidenti Nishani vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka diskutimi, trajtimi, ndarja e këndvështrimeve, ndarja e eksperiencave në çështjet e auditimit duke theksuar se: “është jashtëzakonisht e rëndësishme mbajtja e një partneriteti dhe komunikimi veçanërisht në procesin që Shqipëria është duke ecur, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.”

“Ky është një proces, i cili ka standarde, ka kërkesa, njëkohësisht ka detyrime dhe obligime për gjithsecilin prej nesh, institucionet e shtetit, në radhë të parë, por dhe gjithë aktorët e shoqërisë.” – vuri në dukje Presidenti.

“Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është një çështje vetëm e një vendimmarrje të caktuar politike. Vendimmarrja politike përmbyll procesin formal. Është çështja e arritjes së atyre standardeve, të cilat mbi bazën vetëm të një ekonomie, të një demokracie funksionale dhe të një shoqërie të emancipuar në tërë kuptimin e fjalës dhe të gjithë elementeve të jetës së përditshme të qytetarëve do të bëjë të mundur të arrijmë atë detyrë dhe përgjegjësi karshi qytetarëve shqiptarë, ndaj vetes sonë, por dhe duke pasur një partneritet harmonik me partnerët.” – vijoi më tej fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar.

 

“Fakti që ky institucion ka në objektin e punës së tij paranë publike, por njëkohësisht dhe mënyrën e trajtimit ligjor të saj, na bën që të gjithëve të përgjegjshëm dhe të angazhuar. Paraja publike në momentin që bëhet e tillë nuk është më pronë e askujt, e asnjë individi, ajo është pronë vetëm e shtetit shqiptar. Sjellja ndaj parasë publike, alokimi i saj, menaxhimi i saj, efiçenca prej saj ka të bëjë me raportin e sjelljes ndaj shtetit, me përgjegjësinë ndaj shtetit, me respektin ndaj shtetit dhe vlerësimin e ecurisë së shtetit. Raporti me shtetin është një detyrim që nga Presidenti i Republikës dhe deri tek qytetari më i thjeshtë i këtij vendi.” – nënvizoi Presidenti.

 

Duke vlerësuar punën dhe përvojën e mirë të KLSH-së, Presidentit nënvizoi se: “këtë eksperiencë të mirë që auditi i shtetit shqiptar ka mbledhur deri më sot duhet ta shikojë çdo ditë në aktivitetin e tij si një përgjegjësi dhe raport që ka si individ, si përfaqësues institucional në raport me shtetin shqiptar dhe përgjegjësia ndaj shtetit është përgjegjësia më e madhe që obligon qytetarin e thjeshtë dhe akoma më shumë nëpunësin e institucioneve.”

 

Ndërsa  duke u ndalur në çështjet e besimit dhe të mirëbesimit, Presidenti u shpreh se: “besimi veçanërisht me qytetarin shqiptar, besimi në raport me opinionin publik, besimi në raport me perceptimin, i cili pastaj sjell në tërësi angazhimin e shoqërisë shqiptare në raport me institucionet, shtetin, shoqërinë, me vetveten është një proces i cili nuk arrihet lehtë. Është një proces i cili ndeshet me interesa ligjore dhe antiligjore nga grupe të ndryshme të interesit, të cilat kanë qasje pozitive ndaj shtetit dhe grupe të cilat kanë qasje për të anashkaluar rregullat e shtetit dhe natyrisht, pa dyshim, zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore.

 

Krahas besimit që duhet të arrihet tek opinioni publik, po aq e rëndësishme është çështja e mirëbesimit, e mirëbesimit ndaj subjekteve që janë objekt i kontrollit nga ana e auditit në mënyrë të tillë që puna, investimi i gjithsecilit prej jush jo vetëm të kontribuojë tek e mira e fondeve, tek e mira institucionale, tek e mira e legjislacionit, por njëkohësisht të kontribuojë edhe në përmirësimin në fund të fundit në punën e mëtejshme të institucionit, të subjekteve që janë objekt i veprimtarisë së KLSH-së. Vetëm duke i parë me të njëjtën përgjegjësi këto dy parime; arritjen e besimit dhe të mirëbesimit dhe në harmoni me njëri-tjetrin do të kemi një kontribut të jashtëzakonshëm, por besoj gjithashtu se tek besimi dhe mirëbesimi shkohet përmes standardesh të caktuara.” – theksoi Presidenti Nishani.

 

Për t’i arritur këto Presidenti theksoi se pavarësia dhe paanshmëria janë elementët të domosdoshëm për të arritur tek besimi dhe tek mirëbesimi. Pavarësia e institucionit tuaj është themelore, për të vajtur aty ku është problemi, për ta gjetur problemin përmes profesionalizmit, për ta bërë prezent dhe për të mos e kamufluar problemin, për të mos e minimizuar atë, dhe njëkohësisht për të sjellë një “outcome”, një produkt të punës reale dhe kontribuese. “Ndërsa paanshmëria është gjithashtu e domosdoshme, sepse interesa të ndryshme ndërthuren, por shpeshherë presioni i padrejtë, i paligjshëm, bën që nëse e tejkalojmë provën, sfidën e pavarësisë, mund të mos e tejkalojmë atë të paanshmërisë, e cila pastaj përsëri do të sjellë një ngërç, apo një thyerje të një mekanizmi, të një dhëmbi të këtij mekanizmi, dhe përsëri nuk do të shkojmë dhe nuk do të kemi besim të plotë dhe mirëbesim të plotë të të gjithë kontributeve që ndoshta janë arritur për shkak të investimeve të mëdha profesionale të bëra ndër vite, nga resurset njerëzore të cilat janë të trajnuara, janë me eksperiencë, janë të angazhuara, janë të motivuara.” – shtoi Presidenti.

 

Presidenti Nishani vuri në dukje se sa e rëndësishme është për partnerët e Shqipërisë performanca evropiane e institucioneve shqiptare. “Shqipërisë, institucioneve shqiptare nuk u mungon asgjë, nuk janë të kufizuara nga asgjë për të pasur absolutisht performancën e merituar evropiane në mënyrën e funksionimit të tyre, në mënyrën e të menduarit, që nis tek draftimi i legjislacionit, në mënyrën e të sjellit, që nis dhe përfundohet me zbatimin e legjislacionit.” – theksoi Kreu i Shtetit.

Në lidhje me ligjin e ri dhe ambicioz që është hartuar edhe me ndihmesën e partnerëve, Presidenti Nishani u shpreh i bindur që Parlamenti shqiptar do të ketë të gjithë mirëkuptimin e duhur për ta mbështetur, pasi legjislacioni nuk është një mekanizëm i momentit që mund t’i shërbejë vetëm një institucioni apo drejtuesve apo anëtarëve të një institucioni në një periudhë kohe të caktuar, për disa objektiva të caktuara dhe specifike.

“Legjislacioni është mekanizmi i vetëm, i cili do të ketë nevojë gjithmonë për përmirësime, avancime në varësi të sfidave që na dalin përpara, por është i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm. Ne kemi një shans për të marrë eksperiencat më të mira që të tjerët i kanë kaluar para nesh dhe i kanë mbledhur në rrugën e gjatë të integrimit të përgatitjes dhe të arritjes të standardeve. Në këtë kontekst unë besoj se marrja e eksperiencave më të mira të mundshme, jo vetëm na inkurajon për atë çka kemi humbur në kontekstin e kohës në të shkuarën dhe mund të na përshpejtojë procesin.” – u shpreh Presidenti.

 

“Unë dëshiroj që ky proces ku është përfshirë Kontrolli i Lartë i Shtetit në Shqipëri përmes përmirësimit të legjislacionit, trajnimeve të audituesve, partneritetit, transparencës dhe ambicies që ka, ridinamizimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale, me Prokurorinë, pse jo me Inspektoratin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, me shoqërinë civile, e cila është e angazhuar në fushën investigative si dhe me botën akademike, të gjenerojë gjithmonë e më shumë një produkt, produktin që të na sjellë besimin dhe mirëbesimin.” – përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

SHKARKO APP