Presidenti Trump fiton gjyqin me gazetarët e agjensisë amerikane të lajmeve “Associated Press”

Një gjykatës federal të hënën hodhi poshtë kërkesën e agjencisë së lajmeve “Associated Press”, që gazetarëve të saj t’u lejohet menjëherë qasja e plotë, pasi Shtëpia e Bardhë i ndaloi ata për shkak të vazhdimit të përdorimit të emërtimit gjeografik ‘Gjiri i Meksikës’ në vend të ‘Gjiri i Amerikës’.

Gjykatësi i Qarkut Trevor McFadden, i emëruar nga zoti Trump, refuzoi kërkesën e agjencisë ‘AP’ për një vendim të përkohshëm për t’i lejuar gazetarët e saj në Zyrën Ovale, në avionin presidencial ‘Air Force One’, kur udhëton presidenti, si dhe në aktivitete të tjera që mbahen në Shtëpinë e Bardhë.

Gjykatësi McFadden tha se kufizimi i qasjes së gazetarëve në “mjedise të caktuara, më private” që shfrytëzohen nga president, është i ndryshëm nga rastet e tjera në të cilat gjykatat kanë kundërshtuar përpjekjet e zyrtarëve qeveritarë për t’u mohuar qasjen gazetarëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nuk mund të them që AP-ja ishte e suksesshme në argumentimin e ankesës së saj”, tha gjykatësi McFadden gjatë seancës dëgjimore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjykatësi caktoi një afat të përshpejtuar për një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast. Zoti McFadden tha se duket që Shtëpia e Bardhë e diskriminoi agjencinë ‘AP’ për shkak të politikave të saj redaktuese.

“Kjo duket si një çështje më problematike”, tha gjykatësi.

Pas vendimit, Shtëpia e Bardhë tha përmes një kumtese se “t’i bësh pyetje Presidentit të Shteteve të Bashkuara në Zyrën Ovale dhe në ‘Air Force One’ është një privilegj që u jepet gazetarëve, jo një e drejtë ligjore”.

Një zëdhënës i AP-së tha se agjencia e lajmeve “do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e shtypit dhe të publikut për t’u shprehur lirshëm pa hakmarrjen e qeverisë”.

AP-ja ngriti padi ndaj tre këshilltarëve të Presidentit Trump të premten, duke argumentuar se vendimi për të bllokuar qasjen e gazetarëve të saj nga disa vende të caktuara, shkel mbrojtjen që ofron Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndaj kufizimit të fjalës nga qeveria përmes përpjekjeve të saj për të diktuar gjuhën që gazetarët përdorin për të raportuar rreth lajmeve.

“Kushtetuta ndalon presidentin e Shteteve të Bashkuara, apo çdo zyrtar tjetër qeveritar, që të detyrojnë gazetarët, ose këdo tjetër, për të përdorur fjalorin zyrtar qeveritar për lajmet që raportojnë”, tha avokati i AP-së, Charles Tobin, gjatë seancës dëgjimore në gjykatë.

Avokatët e administratës së Presidentit Trump argumentuan se agjencia ‘AP’ nuk ka të drejtë kushtetuese për atë që ata e cilësojnë si “qasje të posaçme të mediave tek presidenti”.

“Kushtetuta nuk u jep atyre të drejtë të kenë qasje pa kufi”, deklaroi Brian Hudak, avokat i Departamentit të Drejtësisë, që mbron zyrtarët e Presidentit Trump në këtë proces gjyqësor.

Aktpadia është bërë ndaj tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë: shefes së kabinetit, Susan Wiles, zëvendës shefit të kabinetit Taylor Budowich dhe zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Zëdhënësja Leavitt tha javën e kaluar se “ndihemi që kemi të drejtë”, ndërkohë që Wiles dhe Budowich nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv muajin e kaluar përmes të cilit udhëzoi Departamentin për Çështje të Brendshme ta ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës.

Agjencia “Associated Press” njoftoi në janar se do të vazhdojë të përdorë emrin me të cilin është njohur prej kohësh Gjiri në raportimin e vet, ndërkohë që do t’i referohet përpjekjeve të zotit Trump për ta ndryshuar atë.

Si reagim ndaj kësaj, Shtëpia e Bardhë u ndaloi qasjen gazetarëve të AP-së. Ndalesa i pengon gazetarët e saj për ta parë dhe dëgjuar Presidentin Trump dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë gjatë veprimeve që ata bëjnë dhe që meritojnë të raportohen, apo për t’u mbuluar në kohë reale zhvillimet.

Përmes një shkrese që i është bashkëngjitur dosjes ligjore, Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë përkrahu AP-në duke thënë se ndalimi “do të zbehë dhe shtrembërojë mbulimin e presidentit duke dëmtuar publikun”. Agjencia e lajmeve Reuters po ashtu lëshoi një deklaratë me të cilën mbështet ‘AP’./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?