Prezenca e OSBE-së ndihmon policinë shqiptare për emigrantët

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi sot një sërë seminaresh për policinë e kufirit dhe migracionit me synim rritjen e kapaciteteve të saj për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të migracionit të parregullt, veçanërisht në kuadër të fluksit të shtuar të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor.

 I pari i këtyre seminareve, të cilat organizohen në partneritet të ngushtë me Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit dhe Migracionit, u zhvillua në Korçë, ku rreth 20 punonjës të policisë kufitare dhe të migracionit u trajnuan për masat që duhen marrë për t’iu përgjigjur situatës.

 Temat e seminarit u bazuan në prirjet e identifikuara nga Frontex dhe Europol dhe përfshinë itineraret, përzgjedhjen e emigrantëve, profilizimin e luftëtarëve të mundshëm terroristë dhe zbulimin e veprave penale. Seminari u drejtua nga ekspertë të Njësisë Kombëtare Shqiptare të Europolit dhe të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.

 Prezenca e OSBE-së, së bashku me partnerët e saj shqiptarë, do të organizojë seminare të ngjashme, gjatë ditëve në vijim, me policinë e kufirit dhe migracionit në Gjirokastër dhe Shkodër.

SHKARKO APP