Princesha e Mirditës e vitit 1909, raporte nga kancelaritë europiane
Aktualitet Kultura E Mërkurë, 26 Korrik 2023 12:37
RELACIONE NGA KANCELARITE EUROPIANE
(Hide Ajazi, gruaja e Bibë Dodës, ishte femra më e shquar mirditase e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, e përmendur shumë në relacionet diplomatike të shteteve europiane.
Hidja, që më vonë u quajt Margjelë, lindi në Arrë Mollë në vitin 1838. Ishte vajza e vetme e Hasan Ajazit; shtatlartë, e shëndetshme, me bukuri dhe zgjuarsi natyrore. Martohet me Princin Bibë Doda. Pas helmimit të Bibës nga turqit, në vitin 1868, Margjela mbeti vetëm me djalin Prengën dhe vajzën Davën. Pranë saj shkoi i vëllai Stafa dhe nipi Limani që iu gjetën në çdo moment.
Vendin e zbrazët, që la Bib Doda, Margjela, e veja e Bib Dodës, donte t’ia kalonte të birit, Prengë Bibë Dodës, i cili akoma nuk kishte mbushur moshën. Si kujdestar për djalin e saj ajo deshi kapidan Gjonin dhe pak e nga pak e veja e Bib Dodës ia arriti qëllimit të saj. Mirditasit në një mbledhje në Shën Pal kishin deklaruar se “Prengë Bibë Doda ishte Kreu i tyre dhe deri sa të rritej i vunë si kujdestar kapidan Gjonin”. Sipas Kanunit, gruaja e Bibë Dodës nuk kishte të drejtë të vendoste për punët e Krahinës, sidoqoftë, si nëna e Kapidanit trashëgimtar dhe e veja e Kapidanit pyetej dhe mendimi i saj ndikonte shumë në vendimet e krerëve. Margjela ishte një grua shumë e zgjuar dhe po kaq e vendosur, e pajisur nga natyra me një nuhatje të hollë politike dhe dinakëri femre…Dora e saj ndihej kudo kur bëhej fjalë për aspiratat kapidanore të djalit të saj. Në të vërtetë, Margjela shihej si një aktore e rëndësishme politike në zhvillimet që priteshin të ndodhnin në Shqipëri, prandaj rreth saj ka informacione në kancelaritë europiane që kishin konsullata në Shkodër. Konsulli austro-hungarez njoftonte Vjenën se “qëndrimi i Margjelës është bërë më i fshehtë. Ajo mbulon me kujdes të frikshëm çdo influencë që përpiqet të ushtrojë mbi mirditasit nëpërmjet njerëzve të afërt të saj. Hapat e saj nuk mund të kontrollohen aq lehtë dhe nuk japin asnjë pikëmbështetje të përcaktuar për pjesëmarrjen e saj në ngjarje politike”. Përballë intrigave të turqëve ajo qëndroi e fortë dhe në një rast kishte deklaruar: “Çdo ndërhyrje nga jashtë në çështjet e brendshme, mirditorët do t’i bëjnë rezistencë të fuqishme”. Si kundërshtarë të rusëve, austro-hungarezët i ndiqnin me kujdes lëvizjet e Margjelës dhe në njërën anë informonin autoritetet në Vjenë dhe nga ana tjetër, mbanin lidhje me të, duke i shprehur miqësinë e shtetit të vet.
Në raportin që konsulli austro-hungarez në Shkodër i dërgon Vjenës informon për dredhitë e Margjelës dhe rolet e shumta që luan në marrëveshjet me Francën, Rusinë, Malin e Zi, si dhe Greqinë. Për ta penguar në arritjen e marrëveshjeve me këto shtete, konsullit austro-hungarez në Shkodër ishte udhëzuar të mbante lidhje të afërt me të.Mëma Princeshë ishte vizituar në banesën e saj në Orosh nga Konsulli austro-hungarez, ndërkohë që i biri, Prenga në Stamboll u porosit të vizitonte ambasadorin austro-hungarez. Me këtë rast, qeveria austro-hungareze i kishte dhënë familjes së Bibë Dodës një ndihmë mujore prej dymijë piastrash. Po kështu, Vic Vardell, këshilltar i Qeverisë Perandorake të Austro-Hungarisë i kishte dërguar një letër princeshës Margjelë, ku e falenderon për skulpturën që i kishte dërguar. Vjena nuk mundi ta pengonte komunikimin e saj me përfaqësuesit e vendeve të tjera, sidomos me Francën, me të cilën kishte marrëdhënie të veçanta.
Roli i Margjelës i kishte bërë përshtypje princeshës Helena Gjika e cila në një letër për Jeronim De Radën shkruan: “Zoti Lejcan ka publikuar në buletinin e fundit de Societe de Geographie të Parisit (prill-maj) një shkrim mbi mirditasit, që sipas tij janë bujq aktiv dhe luftëtar të zotë. Personazhi më me ndikim është gjithmonë princesa e vjetër, nëna e Preng Bibë Dodës”.
Ndërsa françeskani polak,At Marçin Çerminjski, në një libër për Shqipërinë shkruan për Margjelën:” “Princesha, që ishte njoftuar për ardhjen time, më priste në pragun e hyrjes për në dhomë. Kishte shtat të hijshëm dhe ishte veshur me një kostum kombëtar që nuk ndryshonte nga ai i grave të tjera mirditore. Ndonëse ka ngulur në tokë gjashtë kryqe për familjarët e humbur, që jetës së saj i kanë dhënë shumë vuajtje, ajo nuk e shfaq brengosjen”.
Margjela e Bibë Dodës vdiq në vitin 1913 në Shkodër dhe u varros po aty. Ajo mundi me dinjitetin e një princeshe të mbronte për 37 vjet rrjesht pozitën e djalit të saj dhe bashkë me të dhe trashëgiminë e Bibë Dodës. Margjela ishte ekuvalentja femërore e burrit të vet, e pajisur me zotësinë, zgjuarsinë dhe vendosmërinë e nevojshme për të udhëhequr.
Nëse formalisht ajo nuk u përzie në vetëqeverisje, ndikimi i saj në vendimet që morën mirditasit qe i madh, si nëpërmjet krerëve, ashtu dhe përmes të birit. Margjela arriti ta shohë të birin në Atdheun e çliruar nga turqit dhe t’i gëzohej pozitës së privilegjuar të familjes së saj për të cilën kishte punuar dhe sakrifikuar aq shumë).
Nga Dr Nikoll Loka, studiues