Prishen ish-kabinat e plazhit në Golem, banorët: Pas 30 vitesh po na nxjerrin prej leckash
Ish-kabinat e plazhit të Golemit do të prishen me vendim të Këshillit Bashkiak të Kavajës. Vendimi është marrë pasi këto objekte sipas akt-ekspertizës së Institutit të Ndërtimit janë të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sot mjetet e rënda dhe inspektorët e bashkisë kanë shkuar për të prishur objektet në të cilat janë strehuar prej 3 dekadash familje të pastreha, por banorët e kanë kundërshtuar këtë vendim sipas tyre të padrejtë, pasi askush nuk i ka njoftuar më parë se shtëpitë e tyre janë të pabanueshme, ndërkohë që dyshojnë se ato po prishen për shkak të interesit të lartë për tokën në bregdet.
“Ku do të shkoj unë? Mamaja ime është e persekutuar. Ka 30 vjet që është futur këtu me vendim të Këshillit Popullor në Golem. Kur erdhëm këtu ka qenë më keq se internimi, po meqë s’kishte banesa na thanë do të rrini këtu. Nga një vit na lanë 30 vjet, por askush s’pyeti për kushtet tona. Të drejtat tona. Dua transparencë. Instituti i ndërtimit kanë bërë një ekspertizë false. Nuk ka ardhur njeri të shohë dëmin, as unë nuk kam bërë ankesë që shtëpia është e dëmtuar”.
“Ne i kemi gjetur copë-copë ato kabina, pa dyer, dritare dhe banjo. Na sollën për 6 muaj dhe do të na kishin bërë nder të na kishin hequr që atëherë. Po të më lënë 30 vjet dhe të më heqin për leckash?! Le të vijë bashkia dhe kryetari që nuk e di kush është e të më thotë se do të më heqë për arsye të një projekti a plani që do të bëhet në këtë zonë. Unë mendoj që ai do të bëjë hotel”.
Bashkia e Kavajës deklaron se nuk ka ende një plan për shfrytëzimin e hapësirës publike që do të lirohet nga prishja e këtyre objekteve në bregdet, ndërkohë që familjet të cilat nuk kanë një banesë të dytë do të mbështeten me bonus qiraje dhe në një fazë tjetër do të vendoset edhe për strehimin e tyre në kuadër të programit të rindërtimit.
“Është marrë një vendim me këshill bashkiak që të gjithë banorët do të kenë bonus qiraje deri në sistemim. Banorët kanë dy javë që janë njoftuar që të heqin gjithçka kanë dhe që të spostohen“, thotë Ledio Hysa, Drejtor i Shërbimeve publike Bashkia Kavajë.