Priten reshje intensive shiu, ja zonat qe rrezikohen nga përmbytja
Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se sot (e enjte) dhe nesër (e premtë) reshjet e shiut do të jenë të pranishme në të gjithë territorin shqiptar, ku në veri pritet të jenë intensive deri në shumë intensive, ndërsa në Shqipërinë e mesme dhe në jug reshjet do të jenë të lehta, deri në mesatare.
Reshjet e dëborës do të jenë të pranishme 500 metra mbi nivelin e detit, e ndërsa në Veri-Lindje niveli ku priten reshje dëbore do të jetë më i ulët.
Sa i përket temperaturave, ato do të luhaten nga 1°C në zonat malore deri në 15°C në bregdet. Era do të fryjë e lehtë.
Rrezik për përmbytje do të kenë nesër zonat urbane të qarqeve Tiranë, Durrës dhe Lezhë, pasi prurja e lumenjve do të jetë në rritje.
RESHJET
Sot pasdite (e enjte, dt.01) dhe nesër (e premte, dt.02) në qarqet e veriut priten reshje intensive deri shumë intensive, të shoqëruara edhe me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera do të jenë të dobëta deri mesatare. Pritet prania e reshjeve në formë dëbore në 500 m mbi nivelin e detit, ndërsa në Veri-Lindje në zona të kufizuara edhe më poshtë se ky nivel.
TEMPERATURAT
Nesër (e premte, dt.02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 7/ 15 °C në vendet e ulëta: 7 / 12 °C në vendet malore: 1 / 9 °C.
ERA
Sot pasdite (e enjte, dt.01) dhe nesër (e premte, dt.02) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.
RREZIKU NGA PËRMBYTJET
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë në të gjithë territorin do të kenë prurje të qëndrueshme sot (e enjte, dt.01). Nesër (e premte, dt.02) dhe ditët në vazhdim tendenca e prurjeve do të jetë drejt rritjes në të gjithë territorin.
Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë, probleme mund të shfaqen edhe në zonat urbane. Rritje të shpejtë të prurjeve do të ketë edhe në Lumenjtë Mat dhe Ishëm.
Baseni Drin dhe Buna, do ketë rritje të prurjeve, por vlerësimi për rrezikun në këtë basen do të llogaritet në bazë të shkarkimeve të mundshme nga kaskada e Lumit Drin. IGJEUM është duke vazhduar llogaritjet hidrologjike për vlerësimin e rrezikut nga përmbytjet. Ky informacion do të përditësohet sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
KOHA JONË SONDAZH

