Prodhimi bujqësor në Shqipëri ka kosto 38% më të larta se mesatarja në rajon. Shqetësimet e fermerëve në zonat prodhuese

Para pak ditësh Autoriteti Konkurrencës vuri nën hetim paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore pasi në mënyrë të koordinuar kishin fiksuar çmimet duke i lëne ato në nivele të larta.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit katër vitet e fundit kanë shprehur shqetësime për rritjen e shpejtë të çmimeve të plehrave kimikë. Çmimet e larta të plehrave kimikë të kombinuara me çmimet e larta të naftës dhe mungesës e subvencioneve nga ana e tjetër e bëjnë Shqipërinë vendin më koston më të lartë të prodhimeve në Rajon.

Sipas databazës statistikore nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara (FAO), Shqipëria kishte së paku kosto 38 për qind më të se mesatarja rajonale për prodhimin e një ton grurë.

Sipas të dhënave që i referohen vitit 2019, në Shqipëri prodhimi i 1 ton grurë kushtoi 286 dollarë, ndërsa në Maqedoni e njëjta njësi kushtoi 201 dollarë, në Bosnjë 170 dollarë. Serbia ka kostot më të ulëta rajonale pasi prodhimi i një toni grurë kushton 169 dollarë.

Bujqësia është sektori më i madh i ekonomisë së vendit me rreh 19 për qind të kontributit në PBB, 44% të kontributit në punësim, por vijon të vuajë nga primitivizmi, copëzimi i lartë i tokës, kostot e larta të inputeve dhe mungesa e mbështetjes nga qeveria.

Në të gjithë rajonin bujqësia, sidomos prodhuesit përfitojnë nga skemat e drejtpërdrejta të mbështetjes financiare.

Si rrjedhojë e kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes qeveritare, bizneset bujqësore vuajnë nga norma të ula fitimi dhe shpesh me humbje. Mungesa e fizibilitetit i ka lënë fermat shqiptare jashtë skemave të financimit.

Në një studim tjetër të FAO-s që një fermë në Shqipëri të sigurojë të ardhura për pagën minimale të dy personave dhe tepricë për pak investime duhet të gjenerojë 5 mijë euro në vit, që nga viti i parë i investimit. Ne analizën e FAO-s, në skenarin normal, një fermë me 1 ha tokë mund të sigurojë këtë të ardhur nëse përzgjidhet me kujdes produkti që ka shitje të siguruar.

Ndërsa një fermë me 2 ha tokë ka potenciale për të qenë fitimprurëse nëse është serë dhe janë mbjellë perimet kryesore të konsumit. Një fermë bagëtish është fizibël me jo më pak se 7 lopë dhe me një hektar tokë për lopë dhe një fermë me të imta nuk është fizibël në më pak se 100 krerë. Këto sipërfaqe fermash dhe numri i krerëve është llogaritur të mbulojë me të ardhura vetëpunësimin e familjes që i zotëron.

Por sipas FAO-s, fermat nën 1 ha janë shumë të vogla dhe jo fizibël në vijimësi, fermat midis 1 dhe 2 ha janë disi fizibël, por me shumë vështirësi, ndërsa fermat mbi 2 ha kanë një potencial të caktuar tregu. Duke qenë të vogla, fermat mund të përshtaten me kërkesën e tregut, por nën 1 hektar ato nuk janë fizibël as për pemishte e as për perime.Monitor

SHKARKO APP