Prodhimi i energjisë – Ra me gati 50% për vitin e kaluar
Statistikat e prodhimit të energjisë për vitin 2019 konfirmuan sërish varësinë e lartë të sektorit ndaj kapriçove të motit. Rënia e prurjeve hidrike në basenet e lumenjve solli një rënie të ndjeshme të prodhimit. Sipas Institutit të Statistikave, prodhimi i energjisë në vend ishte rreth 5200 GWh (gigavat orë), në rënie me 49% krahasuar me një vit më parë. Luhatja në tre vitet e fundit është e konsiderueshme, po të kemi parasysh se për vitin 2018 prodhimi i energjisë ishte rritur me 89%.
Këto luhatje kanë ndikim të madh jo vetëm te sektori energjetik, por në gjithë performancën e ekonomisë së vendit. Energjia elektrike ka qenë faktor me ndikimin kryesor në ngadalësimin e rritjes ekonomike për vitin 2019. Sipas Instat, rritja mesatare e prodhimit të brendshëm bruto për tre tremujorët e parë të vitit 2019 ishte afërsisht 3%, ndërsa për vitin 2018 rritja ekonomike kishte qenë afërsisht 4.1%.
Rënia e prodhimit ishte më e ndjeshme në HEC-et publike, me 49%, ndërsa për HEC-et private dhe koncesionare prodhimi pësoi një rënie më të kufizuar, me 18%.
Ulja e prodhimit vendas vitin e kaluar solli rritje të importit të energjisë elektrike. Importi arriti në pothuajse 3200 GWh, në rritje me 80% krahasuar me vitin 2018.
Varësia e lartë nga kushtet hidrike dhe mungesa e diversifikimit të burimeve të prodhimit ngelet një problem i sistemit energjetik në Shqipëri.
Vitin e kaluar, për herë të parë, Instat raporton edhe një sasi modeste prodhimi nga energjia diellore, që ngelet burimi kryesor alternativ për të diversifikuar prodhimin.
Qeveria shqiptare synon të promovojë investimet në këtë sektor përmes çmimeve të larta të blerjes dhe vitin e kaluar përzgjodhi fituesin e projektit për ngritjen e një parku të madh fotovoltaik pranë Vlorës.
Instat raporton se për vitin e kaluar u arrit një ulje e mëtejshme e treguesit të humbjeve në rrjet. Ndonëse humbjet ngelen ende mjaft të larta, për vitin e kaluar ky raport ra më tej në 21.7%, nga 23.3% që ishte për vitin 2018. Pothuajse 90% e humbjeve totale në rrjet ndodhin në rrjetin e shpërndarjes dhe në shumicën e tyre raportohen si humbje teknike.
SCAN