Profesor Kabo: Mosveprimi i SPAK-ut po “vret” besueshmërinë te drejtësia e re
Profesori Përparim Kabo thotë se SPAK nuk është duke e bërë si duhet punën e vet dhe mosveprimi i tij po vret besueshmërinë te drejtësia e re. Duke marrë shkas nga nisma e PD-së për Vetting-un në politikë, Kabo thekson se s’ka nevojë të krijojmë SPAK 1, 2, 3. SPAK është një.
”Nëse qeveria ndërton një strukturë paralele që vëzhgon në mënyrë administrative shkeljet që mund të shkojnë deri në vepra penale, në çdo rast institucioni ku ndodh kjo duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë. S’ka nevojë të krijojmë SPAK 1, 2, 3. SPAK është një.
Ne sot kemi një shqetësim qytetar dhe shpresoj që ta kenë edhe njerëzit e politikës që SPAK-u nuk po lëviz ashtu siç duhet. SPAK nuk po e kryen detyrën plotësisht ashtu siç duhet, po merret në nivele të ulëta me informacione periferike.
Faktori ndërkombëtar SHBA dhe së fundmi edhe BE kërkon goditje të korrupsionit në nivele të larta që do të thotë kryeministra, ish-kryeministra, ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, president, ish-president. Kjo valle që duhet të hedhin të dyja palët është për të ngritur tymnajë, për të shpenzuar kohë dhe për të demotivuar institucionet që vetë i kanë miratuar.
SPAK vepro nuk ka kohë më, ke në dorë jo nderin tënd profesional, por fatin e atdheut, të demokracisë, të zhvillimit, të gjeneratave të reja, integrimit të Shqipërisë në BE. Koha po kalon nuk kemi çfarë presim më”,-tha në ”Top Channel”.