Profesori amerikan, Edward Joseph: Reforma në drejtësi dhe pluralizmi politik, sfida për Shqipërinë
Profesori amerikan, Edward Joseph ka dhënë një analizë të thelluar për situatën politike dhe reformën në drejtësi në Shqipëri. Gjatë një interviste në SYRI TV, Joseph theksoi rëndësinë e përparimit të vendit drejt Bashkimit Evropian, duke vënë në dukje se sfidat në sistemin gjyqësor mbeten një pengesë për funksionimin e plotë të shtetit dhe ofrimin e drejtësisë për qytetarët.
Joseph nënvizoi se vonesat në trajtimin e çështjeve gjyqësore dhe mungesa e efikasitetit në gjykata krijojnë shqetësime, sidomos kur lidhen me arrestimet e figurave të opozitës, veçanërisht në periudha zgjedhjesh. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian monitorojnë nga afër këto procese dhe nuk duan të shohin shkelje të të drejtave dhe standardeve demokratike. “Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe duhet të kuptojmë se kjo seancë e rëndësishme që u zhvillua në kongresin e Shteteve të Bashkuara, u përqendrua në të gjithë rajonin, ku përfshihej edhe Shqipëria.
Dhe Shtetet e Bashkuara, sikurse e thoni edhe ju qartësisht, së bashku me aktorët kyç të Bashkimit Evropian, si për shembull Holanda, janë përqendruar gjerësisht tek çështja e reformës së gjyqësorit në Shqipëri. E dimë se ka qenë një prej kushteve kryesore dhe një prej shqetësimeve kryesore për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Dhe ndërsa Shqipëria hedh hapa të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian, duhet të mos harrojmë edhe mangësitë në sistemin e gjyqësorit. Ky shtim, për shembull, i stokut të çështjeve të cilat akoma nuk kanë marrë zgjidhje, përbën një problematikë, sepse po flasim për të drejtën e një procesi të drejtë, të një procesi i cili i duhet dhënë qytetarit nga gjykata.
Në qoftë se gjykata është joefiçente dhe ngelet një stok i madh çështjesh të patrajtuara, kjo përbën shqetësim. Dhe pikërisht janë shqetësime që kanë të bëjnë me arrestimin e figurave të opozitës, sidomos brenda kontekstit të zgjedhjeve. Unë e di se Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian nuk duan të shohin situata të tilla,” tha ai.
Profesori gjithashtu bëri paralajmërime për rëndësinë e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai shtoi se një demokraci e shëndetshme kërkon konkurrencë dhe llogaridhënie nga qeveria ndaj opozitës, duke përmendur shembuj rajonalë si Kosova dhe Serbia për të treguar se mungesa e një opozite të fortë mund të çojë në dominim të një partie dhe krizë politike.
“Në fakt këto janë dy pyetje të ndryshme dhe kërkojnë përgjigje të ndryshme. Sepse për sa i përket së fundit, askush nuk mund të sigurojë pluralizmin politik. Nuk mund të vijë një aktor i jashtëm. Nuk mund ta krijojë këtë një aktor i jashtëm. Është një proces dinamik, i cili duhet të ndodhë brenda shoqërisë, brenda një demokracie të shëndetshme. Dhe pikërisht ky është dhe qëllimi, që në një demokraci të shëndetshme ke pluralizëm, ke konkurrencë.
Ne po shohim këtu në Shtetet e Bashkuara, po shohim sa e rëndësishme është një parti e zellshme politike, e cila të kundërshtojë në Kongres dhe t’i kërkojë administratës të japë llogari dhe të ngrejë pyetje në Kongres, sikurse ndodhi tani. Në Kosovë, për shembull, ke një situatë politike dinamike. Është Vetëvendosja, e cila drejton qeverinë dhe gjithashtu ke PDK-në, LDK-në dhe parti të tjera të cilat janë aktive në opozitë. Kryeministri Kurti nuk mund të bëjë çfarë dëshiron ai, por duhet t’i japë llogari dhe tani në fund të këtij muaji do të ketë zgjedhje dhe do të shohim pastaj se zgjedhësit në Kosovë do të përballen me një mundësi zgjedhjeje.
Prandaj, edhe në Shqipëri, që të kemi një demokraci të shëndetshme, pala e opozitës, partitë e opozitës, ka një zgjedhje dhe duhet të vendosë. Kështu funksionon demokracia. Në qoftë se nuk e kemi këtë, përfundojmë me një situatë si në Serbi, ku partia e Aleksandër Vuçiçit është kaq dominuese për një kohë kaq shumë të gjatë dhe tani shohim se ku e ka çuar kjo sjellje Serbinë, në një situatë krize. Kështu që për shëndetin e Shqipërisë, Shqipëria duhet të ketë një shoqëri të pasur pluraliste ku zgjedhësit të kenë mundësi të vërteta dhe kushdo që është në qeveri, t’i japë llogari dhe të mbahet përgjegjës prej opozitës”.
KOHA JONË SONDAZH

