Profesori i Inxhinierisë së Tërmeteve nga Anglia: Si duhen ndryshuar rregullat për ndërtimet e reja në Shqipëri

Dëmet e mëdha që ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit ende nuk janë verifikuar të gjitha, por sipas profesorit Anastasios Sekstos, ato mund të ishin edhe më të mëdha, pasi lëkundja ishte vërtet shumë e fuqishme. Sipas tij mund të ndërtohet kudo, edhe në tokë të butë dhe zona me aktivitet të lartë sizmik, por duke pasur parasysh rregullat se si këto ndërtesa ngrihen. Ai bën apel për të riparë edhe një herë rregullat sa u përket kodeve antisizmike, për të qenë të mbrojtur nga çdo surprizë që mund të sjellë natyra.

Ju i keni parë dëmet materiale të këtij tërmeti. Në gjykimin tuaj, ka qenë toka mbi të cilën janë bërë ndërtimet që çoi në këtë rezultat, apo cilësia e dobët e ndërtimeve?

Çdo rast, qoftë rrëzimi i ndërtesës apo i çarjeve të saj, duhet parë veçmas. Zakonisht ndodh që për raste të tilla kemi një kombinim faktorësh. Për rastin konkret, tërmeti ishte pa dyshim i fuqishëm, por edhe ndërtesat, për të cilat nuk mund të them në përgjithësi se çfarë defektesh kanë pasur, ato janë ndërtuar sipas rregullave dhe parametrave të kohës kur janë ndërtuar. Sepse nëse ky tërmet do të kishte rënë në Kaliforni, do të kishte zero shembje të ndërtesave, ose nëse do kishte rënë në një vend tjetër ku mungojnë rregullat antisizmike, mund të kishim mijëra dëme materiale dhe në njerëz. Duhet theksuar se rregullorja antisizmike që është ende në fuqi në Shqipëri është shumë e vjetër. Në Greqi, kur në 1978 ra tërmet në Selanik dhe në 1981 një tjetër tërmet në Athinë, kjo i detyroi institucionet të hartonin një rregullore të re antisizmike në ndërtim. Përmirësimi i rregullores antisizmike në ndërtim dhe një përmirësim i studimeve për rreziqet, ku duhet të përcaktohet se sa e mundshme është të kemi një tërmet në atë zonë, që të dyja këto duhen ribërë.

Shumë ndërtesa do të rindërtohen. Ato duhen bërë aty ku ishin të vjetrat, apo duhet ndryshuar zona, garanton toka në këto zona?

Në çdo rast duhet një studim gjeoteknik, por dhe studim gjeologjik ku do ndërtohet, në mënyrë që ndërtimi të bëhet bazuar në cilësinë e truallit. Nga pikëpamja inxhinierike ka zgjidhje në ndërtim, nuk është e ndaluar të ndërtosh dhe në toka të buta, por kjo varet nga themelet që do ndërtosh dhe se ku është pjesa e fortë e tokës. Ka dhe raste të riplanifikimeve, siç u bë në qytetin Duzi në Turqi pas tërmetit të 1999-ës, ku u zgjodh një anë tjetër e qytetit për rindërtimin e tij.

Ju keni dalë në disa përfundime se si duhet rindërtuar tashmë zonat e dëmtuara?

Sigurisht që brenda dhimbjes së fatkeqësisë, kemi edhe lajmin e mirë se dija dhe njohuritë nuk mungojnë. Ndërtesat duhet të ndjekin një normalitet si për sa i përket lartësisë së tyre, ashtu dhe për sa i përket bazamentit të tyre dhe pa dyshim që duhet të ketë kontroll të cilësisë së materialeve të ndërtimit, kontroll mbi projektin, por dhe zbatimin rigoroz të tij. Sipas rregullave të reja antisizmike të ndërtimit që janë në fuqi në Europë, Amerikë, Japoni, nëse ndiqen disa rregulla bazë, atëherë për tërmetet e shpeshta nuk duhet të ketë dëme, për tërmetet periodike, ato që bien çdo 40-50 vjet, dëmet duhet të jenë të riparueshme dhe nëse do të kemi tërmet më të fuqishëm nga ai që presim, garantohet që ndërtesa nuk do shembet. Te ndërtimet moderne që bëhen, ka pika që përforcohen në mënyrë të tillë që godinat t’u rezistojnë tërmeteve të fuqishme. Si rrjedhojë, përmirësimi i rregullave antisizmike në ndërtim dhe kontrolli i cilësisë së materialeve të ndërtimit është shumë i rëndësishëm./PANORAMA.AL

SHKARKO APP