Profili i panjohur i policit që vrau pas shpine Rashën, 22-vjeç mbaroi shkollën e mesme

Nevaldo Hajdaraj ka lindur më 16 dhjetor të vitit 1989 në qytetin e Memaliajt. Në moshën 31-vjeçare si punonjës policie, ai vrau gjatë shërbimit qytetarin Klodian Rasha. Atij i janë dashur 8 vite për të përmbyllur shkollën e mesme të cilën e ka nisur në moshën 14-vjeç dhe e ka përfunduar kur ishte 22-vjeç, duke ndërruar gjatë kësaj kohe 3 gjimnaze.

Në vitin 2003-2004, Nevaldo Hajdaraj ka frekuentuar gjimnazin “Sali Nivica” në Memaliaj, të cilin nuk ka mundur ta përfundojë. Në periudhën 2005-2007, është zhvendosur në Tiranë dhe ka studiuar në gjimnazin “Ismail Qemali”. Por përsëri nuk ka arritur që ta përmbyllë ciklin tërësisht. Tre vite më vonë, Nevaldo kthehet në Tepelenë. Në vitin 2010-2011, ai ndjek studimet me kohë të pjesshme në gjimnazin “Abaz Shehu”. 32-vjeçari e ka mbyllur vitin e fundit të Maturës Shtetërore me rezultate kaluese. Nga 14 lëndë, 12 prej tyre i ka mbyllur me notën 5, një me notën 6 dhe rezultatin më të lartë e ka pasur në fiskulturë, ku ka marrë notën 8. Nota mesatare e përgjithshme, 5.12.

Në 8 vite Nevaldo Hajdaraj arriti të përmbyllë ciklin 4-vjeçar të shkollës së mesme. Gjatë Maturës Shtetërore, 32-vjeçari frekuentonte gjimnazin me korrenspondencë për shkak se paralelisht jetonte dhe punonte në Tiranë. Në të njëjtin vit që ndiqte studimet në gjimnazin “Abaz Shehu” në Tepelenë, Nevaldo Hajdaraj ka punuar barist në një lokal në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet në periudhën 10 mars 2010-12 korrik 2015. Pas këtij momenti, ai u largua nga kjo punë me motivacionin “për pushime”.

Për 1 muaj, ai ka punuar si barist në dy lokale të ndryshme. Më 15 qershor 2015, Nevaldo kishte filluar punë edhe në një lokal tjetër në zonën e Laprakës. Nga lokali në Tiranë të Re dha dorëheqjen më 12 korrik 2015. Por kjo punë e dytë zgjati vetëm gjatë sezonit veror, pasi aty qëndroi deri më 13 Shtator 2015, dhe 5 ditë më vonë, u rikthye sërish tek puna e parë, si barist tek Tirana e Re. Këtë punë e vazhdoi deri më 10 shkurt 2016. 1 vit më vonë, Nevaldo Hajdaraj në moshën 28-vjeçare vendos të ndjekë studimet në Akademinë e Policisë së Shtetit në Tiranë. Më 23 Mars 2017, ai bëhet pjesë e Akademisë së Sigurisë pasi ishte shpallur fitues gjatë konkursit.

Në përfundim të trajnimit 11-javor për “Patrullë të Përgjithshme, Nevaldo Hajdaraj u vlerësua me 80 pikë nga 100 që është rezultati maksimal. Që prej janarit 2018, ai u integrua në strukturat e Policisë së Shtetit. Më 12 tetor 2017 në vlerësimin e instruktorit për kursantin në përfundimin me sukses të shkollës bazë të policisë, Nevaldo Hajdaraj në modulin e armës së zjarrit është vlerësuar me 55 pikë nga 100 të mundshme. Tre muaj më vonë në 15 janar të vitit 2018, në trajnimin në terren të Nevaldo Hajdarajt, Komisioni Vlerësues i përbërë prej 5 policëve me gradat drejtues dhe kryekomisar, ka konstatuar probleme në menaxhimin e stresit, në të shkruar dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Katër pikët e vlerësimit që kanë përshkrimin e mëposhtëm:

1 – Papranueshëm 2-Pranueshëm 3-Mirë 4-Shumë Mirë. Ka ruajtur gjakftohtësinë, i qetë, plot besim në kushte stresi, Nevaldo është vlerësuar pranueshëm. Ka qenë i ndjeshëm ndaj nevojave, ndjenjave të të tjerëve, pa kompromentuar autoritetin e vetë, Nevaldo është vlerësuar pranueshëm. Shkruan qartë, saktë dhe me strukturë logjike, Nevaldo është vlerësuar pranueshëm. Është këmbëngulës kur ndeshet me pengesa, është vlerësuar pranueshëm. Në 21 pikat e tjera është vlerësuar me mirë dhe shumë mirë. Pas këtij vlerësimi, Nevaldo Hajdaraj ka punuar në patrullën e përgjithshmë të policisë në Tiranë në Komisariatin Numër 3, atë Rrugor, Numër 5 dhe vetëm 28 ditë në repartin “Shqiponja”.

Marrë nga /Tv Klan/

SHKARKO APP