Program i ri i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, Manastirliu: Do të trajnohen 16 mijë mësues

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, lançoi sot fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet ministrja tha se ky program synon të fuqizojë mësuesit përmes trajnimeve dhe metodave inovative të mësimdhënies.

“Me nisjen e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, brenda këtij viti do të trajnojmë mbi 4000 mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit gjuhës shqipe, matematikës dhe shkencat e natyrës, për aftësitë digjitale dhe deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.”, tha Manastirliu.

Po ashtu Manastirliu theksoi se “ky program nuk është thjesht një nismë më shumë, por një dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të mbështetur mësuesit, profesionin e mësuesit”.

Programi gjithashtu përfshin një kornizë të re të kualifikimit për mësuesit, duke u ofruar atyre mundësinë të zhvillohen profesionalisht dhe të përmirësojnë praktikat e tyre mësimore. Ky zhvillim përfshin krijimin e një portofoli digjital për mësues dhe përdorimin e platformave interaktive për trajnimin.

“Programi parashikon dhe krijimin e Kornizës Kurrikulare në arsimin parauniversitar për të përafruar programet mësimore me nevojat e kohës.”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh ndër të tjera se një nga pikat kyçe të programit është edhe krijimi i Portofolit Digjital të Mësuesit, një inovacion që synon të përfshijë nga kredencialet për çdo mësues, regjistrimin elektronik të krediteve, certifikimin dhe vlerësimin periodik, deri te monitorimi i performancës së mësimdhënies në shkolla.

“Do të krijojmë Portofolin Digjital të mësuesit, i lidhur me formimin profesional, nga kredencialet elektronike, sistemi i kualifikimeve, regjistrimi i krediteve të trajnimeve të akredituara, dhe duke pasur këtu një pamje të qartë në sistemin e monitorimit të performancës të mësimdhënies në shkolla duke i dhënë dhe më shumë përgjegjësi shkollës, drejtorive të arsimit dhe Agjensisë së Standardeve dhe Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, si garanci për zhvillimin profesional të burimeve tona njerëzore.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Gjithashtu, Ministrja, Manastirliu tha se ngritja e një platforme interaktive të trajnimeve, e cila do të përdorë inteligjencën artificiale për të ofruar plane të personalizuara të trajnimit, është një tjetër objektiv kyç.

Në aspektin e zhvillimit të karrierës, programi synon të krijojë një model të ri të shkallëve të kualifikimit të mësuesve, të shoqëruar me incentiva financiare dhe për herë të parë ky program do të përfshijë role të reja të mësuesve në shkollë me mësuesin mentor të shkollës, i cili do të udhëheqë kolegët drejt zhvillimit profesional dhe shkollën drejt përmirësimit të performancës me synim krijimin e rrjetit të mentorëve dhe lidershipit të ri profesional të shkollës.

SHKARKO APP