Programi i BE, ministrja Koçiu: Mbi 70 shërbime nëpërmjet Fondit Social në të gjithë vendin
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë në prezantimin e programit të Bashkimit Europian, “BE për Kujdesin Social” që zbatohet nga UNICEF-i në Shqipëri dhe World Vision, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministrja solli në vëmendje faktin se vetëm tre muaj më parë Komisioni Europian miratoi Paketën e Zgjerimit dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, paketa më ambicioze që synon të dyfishojë përmasat e ekonomive tona në 10 vjet.
“Vetëm një javë më parë, 15 bashki të vendit nënshkruan një pakt për të zgjeruar me 15 shërbime të reja sociale mbulimin për komunitetet në nevojë. Sot, jemi në kushtet kur i gjithë territori i vendit është i mbuluar me shërbime sociale të ofruara nga të gjitha njësitë administrative”, deklaroi Koçiu.
Ministrja tha se falë rritjes së vazhdueshme të mbështetjes nga buxheti i shtetit dhe forcimit të partneriteteve në nivel lokal, numri i shërbimeve të ofruara sot tejkalon 70. “Zbatimi i këtij projekti, i cili përputhet me Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2014-2030 do të ndikojë drejtpërsëdrejti në procesin e integrimit, duke rritur përgatitjen e vendit për harmonizimin e plotë të kapitujve 19 dhe 23”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë.
Në përfundim, ajo theksoi angazhimin për vijimin e forcimit të bashkëpunimin me organizata të shoqërisë civile si dhe partnerë ndërkombëtarë. “Investimi për mbrojtjen sociale është investim afatgjatë dhe i drejtpërdrejtë, i cili bën të mundur që përfitimet e Shqipërisë Europiane të shpërndahen në mënyrë të drejtë tek e gjithë shoqëria”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.