Programi i PD, Çobani: Taksa e sheshtë synon fuqizimin e kapitalit

Gazetari Genci Çobani në një intervistë për Ora Neës ka komentuar programet e partive politike, kryesisht asaj Demokratike në lidhje me taksën e sheshtë dhe progresive.

Çobani ka shtruar mendimin e tij, sipas të cilit taksa e sheshtë është ajo çka i duhet ekonomisë shqiptare, si një mënyrë për të fuqizuar lëvizjen ekonomike dhe pasurinë kombëtare.

Çobani: Për mendimin tim ky është debate më i vlefshëm në një fushatë elektorale në çdo vend të botës. Ajo që u intereson të gjithëve nga qytetari më i thjeshtë, te ai më i pasuri janë taksat. Në këtë pikëpamje të dyja partitë e mëdha janë vërtetë për t’u lavdëruar që kanë hedhur këtë debat për konsum.

Politikisht mendoj se të dyja partitë janë në rregull dhe korrekte në linjat që duan të ndjekin. Taksa progresive është konsideruar si një armë beteje për të majtën në të gjithë botën, ndërkohë që kthimi te taksa e sheshtë konsiderohet si një armë për të djathtën. Ekonomia nuk është një shkencë ekzakte. Të dyja format janë provuar në vende të ndryshme të botës dhe kanë pasur rezultate të ndryshme. Problemi është që në kontekstin social dhe ekonomik, siç është momenti në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare, cila nga të dyjat është më e vlefshme. Për mendimin tim personal taksa e sheshtë është ajo që i duhet për momentin ekonomisë shqiptare.

Jo vetëm se e përfaqëson dhe e ka hedhur e djathta në treg si një pikë elektorale, por sepse taksa e sheshtë synon para së gjithash fuqizimin e kapitalit. Lënien e kapitalit në mënyrë të tillë që të arrijë të fuqizohet. Ndërsa taksa progresive aplikohet kur bëhet fjalë për një rishpërndarje të pasurisë. Është aplikuar kjo në Francë, nuk është një strategji 100 vjeçare. Aplikohet për 2 vite. Të jem i sinqertë ne ende nuk kemi një pasuri të tillë që ta mendojmë për ta rishpërndarë. Duhet ta ndërtojmë njëherë nëpërmjet hapjes së vendeve të punës.

SHKARKO APP