Projektligji: Aborti të shpallet “vrasje me dashje”

Numri i lartë i aborteve në vend ka detyruar një grup deputetësh të hartojnë një projektligj, i cili synon dhënien fund të praktikave klandestine në spitalet private dhe ato shtetërore në lidhje me abortin. Nëpërmjet kësaj nisme ligjore, ata e shpallin abortin vepër penale dhe mbi personat përgjegjës do të ngrihet akuza “për vrasje me dashje”.

Sipas projektligjit, në të gjitha ato klinika që kapen duke bërë aborte atyre u hiqet përgjithmonë licenca, ndërsa drejtuesit e këtyre institucioneve kalojnë për ndjekje penale me akuzën e “vrasjes me dashje”.

Sipas projektligjit, asnjë abort nuk do të kryhet në spitale private. Ndërsa sa u përket aborteve në siptalet shtetërore, ato do të kryhen vetëm në raste ekstreme, mbi bazën e një vendimi të komisioneve mediko-legale, ku vlerësohet se jeta e nënës dhe e foshnjës është në rrezik.

Nard Ndoka, një prej deputetëve që është edhe nismëtar i këtij projektligji së bashku me disa deputetë të tjerë, shprehet se aborti është një krim kundër jetës jo vetëm sa i përket vlerave të familjes, por edhe në aspektin njerëzor. Sipas tij, të dhënat flasin për shtimin e ratsve të abortit në mënyrë të pakontrolluar, që vetëm sa po pasuron me shpejtësi disa klinika private deri dhe të palicencuara, duke krijuar nga ana tjetër trauma të mëdha sociale. “Aborti është vrasje e jetës njerëzore. Si i tillë duhet kategorizuar si vrasje”, shprehet Ndoka.

Situata

Të dhënat më të fundit janpin një panoramë shumë shqetësuese lidhur me numërin e aborteve të fshehta që po kryhen kryesisht në spitalet private. Sipas këtyre të dhënave, numri i aborteve kryesisht tek vajzat e reja, për frymë popullsie, është 8 herë më i lartë se në vendet e BE-së. Sipas legjislacionit në fuqi, abortet në vendin tonë kryhen vetëm në spitale brenda kritereve dhe rregullave të përcaktuara në ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë. Kjo do të thotë se nuk mund të kryhet në klinika private, të cilat nuk janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë. Por realiteti është krejt tjetër. Ka një numër të konsiderueshëm klinikash private, që operojnë në kryeqytet, kryesisht në periferi të Tiranës, apo në skuta të tjera, ku abortet kryhen lirshëm.

Pagesat

Në klinikat private aborti me pilula shkon deri në 14 mijë lekë të reja, ndërsa me ndërhyrje shkon deri në 19 mijë lekë të reja. Gjithçka bëhet në kushte informaliteti dhe fshehtësie. Klinikat private nuk i regjistrojnë asnjëherë pacientet që kryejnë aborte. Ndërsa në sektorin publik, procedurat për abort vullnetar kanë një tarifë prej 6.000 lekë. Por shumë pak i drejtohen sektorit publik, pasi duan të ruajnë fshehtësinë.

SHKARKO APP