Projektligji – Pension shtesë për ushtarakët dhe agjentët e inteligjencës. Ja kush përfiton
Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një projektligj i cili parashikon shtimin e një kategorie pensioni shtesë për ushtarakët. Suplementi është llogaritur në masën 1% të pagës mesatare për çdo vit kontribut. Kontributet që derdhen në masën 5% të pagës referuese përbëjnë 3.400 mijë lekë.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe qëllimi i tij është përfshirja e punonjësve civilë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në skemën e sigurimeve shoqërore suplementare.
RELACION
Qëllimi i projektligjit është përfshirja e punonjësve civilë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në skemën e sigurimeve shoqërore suplementare. Punonjësit ushtarakë të AISM-së janë përfitues, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, duke qenë se kanë statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura.
Argumentimi i projektaktit
Në pikën 1, të nenit 50, të ligjit nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, parashikohet se: “… punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përveç përfitimeve që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurimet shoqërore suplementare.”.
Në pikën 2, të nenit 50 të ligjit nr. 65/2014, parashikohet se: “… për efekt të përfitimit të sigurimeve shoqërore suplementare, si vjetërsi shërbimi njihet periudha nga momenti i emërimit deri në momentin e lirimit ose shkarkimit nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.”.
Në nenin 35, të ligjit nr.65/2014, parashikohet se: “… vjetërsi në punë e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për efekt pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet:
- a) koha nga data e pranimit deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
- b) koha e punës në struktura të tjera që përfitojnë sigurime shoqërore suplementare;
- c) koha e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata.”.
Duke qenë se punonjësit ushtarakë dhe punonjësit civilë të AISM-së kryejnë të njëjtat funksione dhe detyra, atëherë edhe trajtimi i tyre duhet të jetë i njëjtë. Për t’u trajtuar sipas sigurimeve shoqërore suplementare, propozohet përfshirja e punonjësve civilë të AISM-së.
Vlerësimi i ligjshmërisë
Projektligji është në përputhje me rendin juridik të brendshëm.
Neni 35, i ligjit nr.65/2014, parashikon se: “vjetërsi në punë e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për efekt pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet:
- a) koha nga data e pranimit deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
- b) koha e punës në struktura të tjera që përfitojnë sigurime shoqërore suplementare;
- c) koha e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata.”.
Duke qenë se me ligjin nr.65/2014), punonjësve të AISM-së u njihet e drejta për përfitime të tjera shtesë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurimet shoqërore suplementare, është e nevojshme të përfshihen si përfitues në ligjin nr.10142/2009, të ndryshuar.
PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT
Projektligji parashikon disa shtesa në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar. Konkretisht, propozohet që në titullin e ligjit nr.10142/2009, të ndryshuar, dhe në të gjithë tekstin e tij, pas fjalëve “i/të SHISH-it” të shtohen fjalët “punonjësi/t i/të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”.
Punonjësve të AISM-së, të drejtën për t’u trajtuar sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurimet shoqërore suplementare, përkatësisht ligji nr.10142, datë 15.5.2009, i ndryshuar, ua jep ligji nr.65/2014 “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” (neni 50, pika 1).
Vjetërsia në punë, për efekt për përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, do të jetë ajo e parashikuar në ligjin nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” (neni 35).
Vjetërsi shërbimi, për efekt të përfitimit të sigurimeve shoqërore suplementare, do të njihet periudha nga momenti i emërimit deri në momentin e lirimit ose shkarkimit nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, sipas parashikimeve të ligjit nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” (neni 50, pika 2).
Punonjësi civil i AISM-së, me përfshirjen në ligjin nr.10142/2009, të ndryshuar, do të ketë të njëjtat përfitime si ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë.
Raporti i vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore
Llogaritja e efekteve financiaredo të bëhet, si më poshtë vijon:
– Numri i personelit që përfiton nga sigurimet shoqërore suplementare është rreth 100 (njëqind) punonjës. Punonjësit civilë të AISM-së janë 40% e numrit total të punonjësve të kësaj agjencie.
– Ligji nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” nuk parashikon largime të parakohshme nga puna për efekt të vjetërsisë, por vetëm për efekt të ristrukturimeve, të paaftësive fizike, të dorëheqjes vullnetare dhe kushte të tjera specifike. Në këto kushte, nga vrojtimi disavjeçar i largimeve për shkaqet e sipërpërmendura parashikohet të largohen 2 (dy) punonjës në vit.
– Nisur nga kërkesat e ligjit nr.10142/2009, të ndryshuar, punonjësit e AISM-së do të futen ne skemën e sigurimeve shoqërore suplementare, për pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi në vitin 2030 (14 vjet për gra
– 12 vite shërbim dhe pagesë kalimtare) dhe në vitin 2033 (17 vjet për burrat
– 15 vite shërbim dhe pagesa kalimtare).
– Suplementi për pension pleqërie është llogaritur nisur nga gjendja aktuale e personelit dhe për periudhën 5-vjeçare parashikohen të dalin 2 (dy) punonjës në vitin 2017, 1 (një) punonjës në vitin 2018, 3 (tre) punonjës në vitin 2019, 5 (pesë) punonjës në vitin 2020 dhe 1(një) punonjës në vitin 2021. Suplementi është llogaritur në masën 1% të pagës mesatare për çdo vit kontribut.
Kontributet që derdhen në masën 5% të pagës referuese përbëjnë 3.400 mijë lekë.
Nga përllogaritja për pesë vitet e ardhshme rezulton:
– Në vitin 2017, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3 400 mijë lekë dhe pritet të marrë 636 mijë lekë, me një diferencë 33 370 mijë, pozitiv për buxhetin.
– Në vitin 2018, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3 400 mijë lekë dhe pritet të marrë 648 mijë lekë, me një diferencë 33 358 mijë lekë, pozitiv për buxhetin.
– Në vitin 2019, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3 400 mijë lekë dhe pritet të marrë 657 mijë lekë, me një diferencë 33 322 mijë lekë, pozitiv për buxhetin.
– Në vitin 2020, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3 400 mijë lekë dhe pritet të marrë 705 mijë lekë, me një diferencë 33 211 mijë lekë, pozitiv për buxhetin.
– Në vitin 2021, AISM-ja do të derdhë në sigurimet shoqërore mbi 3400 mijë lekë dhe pritet të marrë 645 mijë lekë, me një diferencë 33 196 mijë lekë, pozitiv për buxhetin.
https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/09/efektet-financiare.pdf
KOHA JONË SONDAZH

