Prokurori Adriatik Cama në rrezik shkarkimi, nuk justifikon pasurinë
Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, i cili ka shqyrtuar dosjen e “21 Janarit”, Adriatik Cama duket se do të shtohet tek lista e njerëzve të drejtësisë që janë shkarkuar nga vetingu. Seanca dëgjimore për të u zhvillua ditën e djeshme pasi Cama i ishte nënshtruar procedurave të rivlerësimit me përparësi sepse ishte kandidat edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Mirëpo mesa duket ëndrra e tij për tu bërë anëtar i një prej organeve të reja të drejtësisë do të mbetet gjysmake. Adriatik Cama kishte preferuar të mos shoqërohej nga një avokat, duke i përballuar i vetëm gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilat nuk ishin të pakta. Relatorja e çështjes, Pamela Qirko fillimisht lexoi gjetjet për kriterin e pasurisë.
Sipas saj, ILDKP ka sjellë raport pozitiv për prokurorin, mirëpo nga verifikimet e thelluara të komisionit të vetingut ka rezultuar se ai nuk justifikon disa pasuri. “Pasuritë e subjektit vijojnë si më poshtë: apartament në Tiranë me sipërfaqe 76 metra katrorë, në bashkëpronësi me bashkëshorten, të shlyer plotësisht në vitin 2003.
Në deklaratën e vitit 2003, subjekti ka deklaruar se kjo pronë ka vlerë 2.4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën “veting” 3.4 milionë lekë. Kontrata e blerjes së apartamentit nuk përputhet me asnjërin prej deklarimeve dhe ka si vlerë 34.900 dollarë. Si burim të ardhurash për blerjen e tij ka deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes, por KPK arriti në konkluzionin se nuk ka burime të ligjshme për justifikimin e apartamentit. Subjekti zotëron edhe një ambient të shënuar “ish-parkim garazh me vlerë 18 mijë euro, në bashkëpronësi me gruan, i blerë nga pagat dhe nga dy kredi bankare.
Në deklaratën e vitit 2009 ky cilësohet si ambient “ish-parkim garazh”, ndërsa në kontratën e shitblerjes quhet dyqan”, tha relatorja. Komisioni ka evidentuar gjithashtu burime të pamjaftueshme për blerjen e një makine, mosdeklarimin e një llogarie bankare dhe kreditimin e llogarisë së tij dhe të bashkëshortes në shuma të ndryshme nga persona të afërm përgjatë 10 viteve.
Lidhjet e prokurorit me korrupsionin
Prokurori Adriatik Cama, përveç problemeve me pasurinë, duket se ka shkelje edhe sa i takon kriterit të figurës. Qoftë nga hetimet e DSIK, ashtu edhe nga ato të KPK ai ka rezultuar si një person i përfshirë në korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. DSIK e kishte cilësuar Camën si të papërshtatshëm për të vijuar detyrën, ndërsa komisioni i vetingut vijoi më tej shpjegimet e tij në lidhje me çështjen në fjalë.
“Komisioni ka kërkuar informacione shtesë për pastërtinë e figurës së subjektit. Në raport jepen detaje në lidhje me informacionet e dërguara nga autoritetet ligjzbatuese për përfshirjen në korrupsion pasiv.
Kur ka qenë drejtues i Prokurorisë së Lushnjes në vitin 2005, zoti Cama, së bashku me një person tjetër, ka marrë një shumë parash për pushimin e një çështjeje ku personat ishin ndaluar për kontrabandë. Në raport thuhet se zoti Cama ka zëvendësuar prokurorin e çështjes me një prokuror tjetër në kundërshtim me ligjin, i cili më pas ka vendosur për pushimin e çështjes.
Ky vendim u rrëzua më pas nga Prokuroria e Përgjithshme me arsyetimin se nuk ishte bërë hetim i plotë dhe i thelluar”, tha relatorja Pamela Qirko. Ajo shtoi se KPK e vlerëson subjektin e rivlerësimit si një person që ka patur kontakte të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar dhe se është i përfshirë në korrupsion.
Po ashtu, Adriatik Cama Subjekti cilësohet si objekt i mundshëm për tu vënë në presion nga grupet kriminale. Sakaq, pritet që prokurori i Prokurorisë së Tiranës të njihet ditën e sotme me vendimin përfundimtar të KPK, nëse do të qëndrojë në detyrë apo do të shkarkohet nga sistemi i drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

